top of page

Mosha dhe Fertiliteti

Të mbetesh shtatzënë në të 30-at dhe 40-at

Në rastin e infertilitetit femëror, njëra prej gjërave të para që kontrollojmë është mosha e pacientes – në veçanti, mosha e rezervës së vezoreve apo thënë më thjesht, sasia e vezëve.


Një numër gjithnjë në rritje e grave po zgjedhin ta kenë fëmijën e parë në mesin e të 30-ve apo më vonë. Sfida e kësaj moshe është se me procesin natyror të plakjes së trupit, plaket edhe mosha e vezëve të gruas. Ky fenomen është shkak domethënës i infertilitetit dhe abortit. Shtatzënia pas moshës 40 vjeçare është sfidë për gratë të cilat mund të mos kenë arsye të tjera për pengesë të shtatzënisë.


Ulja e potencialit të fertilitetit apo e “rezervës së vezoreve” nuk nënkupton vetëm që vezoret kanë më pak vezë për të ofruar, por vezët janë edhe të cilësisë më të dobët. Prandaj, ato kanë më tepër vështirësi për të prodhuar vezë që janë të afta për fekondim dhe shtatzëni pasuese të shëndetshme. (Për shumë vite, hulumtuesit ishin kureshtarë të dinin nëse mitra ndikohet po ashtu nga procesi i plakjes, por sot është e qartë që ulja e fertilitetit vjen kryesisht nga rezultati i plakjes së vezëve).


Paaftësia për të prodhuar vezë të shëndetshme rezulton me përqindje më të ulët të shtatzënisë, si edhe me përqindje më të lartë të aborteve në gratë e moshës mbi 35-vjeçe. Për gratë mbi moshën 40-vjeçe, mbetja shtatzënë është vetëm gjysma e rrugëtimit. Përqindja e abortit mbi moshën 40-vjeçe është 50% dhe rritet shpejt me përparimin e mëtutjeshëm të moshës.


- Hormonet për t’i testuar për vlerësimin e cilësisë së vezëve


Tri teste të thjeshta të gjakut mund t’i kontrollojnë nivelet e hormoneve dhe të japin më tepër informata për cilësinë e vezëve. Këto teste mund po ashtu të ndihmojnë në diagnostikimin e infertilitetit në gratë më të reja të cilat zakonisht nuk kanë rezervë të pakësuar të vezoreve apo cilësi të dobët të tyre:


1.     FSH-ja bazale. FSH-ja (hormoni stimulues i folikulave) është hormoni i përfshirë në prodhimin e vezëve të pjekura në vezore. Nëse detektohen nivele të larta të FSH-së në trup, kjo paraqet sinjal që truri po përpiqet t’i nxisë vezoret për të funksionuar më mirë. (Me fjalë të tjera, vezoret mund të kenë nevojë për ndihmë shtesë që të bëjnë vezë)


2.     Estradioli. Estradioli është forma më e rëndësishme e estrogjenit që gjendet në trup dhe është përgjegjës për mirëmbajtjen e vezëve të shëndetshme në vezoret e grave, si edhe për lehtësimin e shtatzënisë së shëndetshme. Nëse testi tregon nivele të larta të Estradiolit, kjo gjë tregon për një problem me numrin dhe/apo cilësinë e vezëve.


3.     Hormoni anti-mullerian (AMH). AMH-ja është test gjaku i cili e mat drejtpërdrejt rezervën e vezoreve. Ai prodhohet drejtpërdrejt nga folikulat e vezoreve në fazën e hershme. Nivelet e larta (mbi 1.0) janë të favorshme, derisa nivelet e ulëta (më pak se 1.0) tregojnë rezervën e ulur të vezoreve. AMH-ja mund të jetë matja më e mirë për transicionin menopauzal dhe moshën e vezoreve. Mund të jetë po ashtu i dobishëm për parashikimin e sindromës së hiperstimulimit të vezoreve, për efektin e kimioterapisë dhe për përcaktimin e trajtimit të sindromës policistike të vezoreve.


Në krahasim me markerët e tjerë (mosha, FSH-ja në ditën e tretë të ciklit dhe estradioli), AMH-ja duket si parashikues superior i rezervës së vezoreve. Ai ofron vlerë të përafërt parashikuese kur krahasohet me Numrin e Folikulave Antrale. Hormoni anti-mullerian mund të matet në çdo kohë të ciklit menstrual dhe nuk ndikohet nga terapia hormonale, përfshirë kontraceptivët oralë.


-Ultratingulli për vlerësimin e cilësisë së vezëve


Numri i Folikulave Antrale. Njëri prej testeve të para që bëhet në vizitën e parë të pacientes është ultratingulli transvagjinal. Ky ultratingull i jep mundësi mjekut që ta vlerësojë mitrën dhe zgavrën e saj, si edhe vezoret. Nëse bëhet mu para ovulacionit, ultratingulli mund të jetë shumë informues për t’u siguruar që nuk ka fibroide apo polipe endometriale që ndikojnë në shtresën e brendshme të mitrës. Me rëndësi është që mjeku mund të vlerësojë numrin e folikulave të vegjël në vezore. Në kushte ideale, rreth 10-20 folikula duhet të shihen ndërmjet dy vezoreve. Nëse numri i folikulave është më i ulët, ky mund të jetë tregues i rezervës në rënie të vezoreve.

235 views0 comments

Recent Posts

See All

PYETJET ME TE SHPESHTA LIDHUR ME INFERTILITETIN

Çka është infertiliteti? A mund të shkaktohet infertiliteti për shkak të ndonjë faktori të partnerit mashkull? Çka ndodh gjatë vlerësimit fillestar të infertilitetit? A ka mundësi të ketë cikël, por p

Infertiliteti i pashpjegueshëm

Është jashtëzakonisht dëshpëruese që të bëhen vlerësime të detajuara për shkaqet e infertilitetit dhe të mos përcaktohet arsyeja e tij. Për 10-15% të pacientëve nuk mund të fitohet përgjigjja e saktë

bottom of page