top of page

Miomët e mitrës (leiomiomat apo Fibroidet) janë tumore beninje (jokanceroze) të përbëra nga muskulatura e lëmuar e cila zakonisht rritet përbrenda mureve të mitrës. Miomat mund të shkaktojnë rrjedhje të vështirësuar menstruale, ngërçe të forta, presion në pelvik dhe probleme me urinim dhe zorrë të trashë. Varësisht nga lokalizimi, madhësia dhe shpejtësia e rritjes së tyre, miomat mund të ndërhyjnë në fekondim dhe shtatzëni.

​

Diagnostikimi i Miomave

Ekzistojnë disa metoda me të cilat diagnostikohen miomat, varësisht nga madhësia dhe lokalizimi.

​

·       Ekzaminimi i Pelvikut. Nëse tumori është shumë i madh, ai mund të preket gjatë ekzaminimit të pelvikut.

·       Ultratingulli Rutinë i Pelvikut. Ky është ultratingull transvagjinal i cili përdoret për vëzhgimin e murit të brendshëm të mitrës. Është zakonisht metoda më e mirë për të parë një fibroid. Për ta realizuar ultratingullin, një instrument i hollë që quhet transdjuser futet në vagjinë. Me qëllim të vlerësimit të efektit potencial të zgavrës së mitrës, ultratingulli duhet të bëhet pak para ovulacionit, atëherë kur muri i brendshëm i mitrës e ka trashësinë më të madhe.

​

·       Histerosonogram Ultratingulli (Sonogrami fiziologjik apo ujor). Ky është një ultratingull vagjinal gjatë të cilit mjeku injekton ujë të kripur (infuzion fiziologjik) në zgavrën e mitrës. Uji shërben për ta zgjeruar mitrën dhe e bën më të lehtë vëzhgimin dhe matjen e miomave. Shërben më së miri për t’i vënë në pah miomat nënmukozale, pra ato që ndodhen përbrenda murit të mitrës.

​

·       Histeroskopia. Histeroskopia është një procedurë e vogël kirurgjikale që paraqet vendosjen e një instrumenti teleskopik me ndriçim (histeroskop) përmes qafës së mitrës dhe vizualizimin e jonormaliteteve brenda murit të zgavrës së mitrës. Po qe se shihet ndonjë fibroid, mund të largohet gjatë procedurës së njëjtë.

·       Rezonanca magnetike (RM). Kjo procedurë përdor radio-frekuencë pulsuese të fushës së fortë magnetike dhe një kompjuter për të prodhuar pamje shumë të detajuara të indeve të buta (si edhe të të gjitha pjesëve të tjera të trupit). Në rastin e miomave, RM-ja mund të ndihmojë në detektimin e rritjeve të përmasave të ndryshme me qëllim që të sigurohemi që ato mund të largohen. Për shkak të specificitetit, RM-ja mund të ndihmojë në dallimin e miomave nga një jonormalitet tjetër në mitër me të cilin shpesh ngatërrohet, adenomiozën. Adenomioza nuk mund të largohet në mënyrë kirurgjikale, por miomat munden. Prandaj, këtu qëndron rëndësia e dallimit të tyre nga njëri-tjetri.

Trajtimi i Miomave

Miomat mund të largohen përmes procedurës kirurgjikale e cila quhet miomektomi. Në këtë mënyrë ruhen mitra dhe vezoret me qëllim që të mundësohet fekondimi. Ekzistojnë disa metoda për realizimin e miomektomisë, varësisht nga lokalizimi, madhësia dhe numri i miomave.

 

 

·       Miomektomia me laparotomi. Nëse miomat janë kryesisht përbrenda murit të mitrës, kirurgjia realizohet zakonisht me laparotomi e cila nënkupton një prerje të gjerë në murin e barkut. Kjo “miomektomi abdominale” është qasja më e mirë për miomat e mëdha dhe/apo të shumta në numër. Kjo procedurë kirurgjikale mund të kryhet nga pothuajse të gjithë gjinekologët. Për shkak se është ndërhyrje e madhe kirurgjikale, kërkohet zakonisht qëndrim 2-3 ditor në spital dhe për shërim të plotë nevojiten 4-6 javë. Shumica e grave të nënshtruar miomektomisë abdominale do të kenë nevojë për prerje cezariane për lindje nëse vjen deri te ndonjë shtatzëni e ardhshme.

1.jpg
10258306_10153409885706494_8210240408881
10658547_10153409885736494_7483366539781
10608283_10153409885461494_2946058631645
10733884_10153409885916494_2324188802724
10733915_10153409886446494_5651052801628
10620118_10153409886241494_4424561600764
1781141_10153409886581494_46027903434575

·       Miomektomia me histeroskop (resekcioni histeroskopik). Nëse fibroidi ndodhet kryesisht në zgavrën e mitrës, qasja më e mirë është zakonisht me histeroskop, i cili paraqet një teleskop të hollë të ndriçuar që futet përmes vagjinës në mitër. Histeroskopi është i pajisur me instrumente specifike kirurgjikale që ia mundësojnë mjekut që t’i vëzhgojë dhe t’i largojë miomat. Kjo kirurgji duhet të bëhet nga gjinekologët me trajnim të përshtatshëm për histeroskopi. Pasi që nuk ka nevojë për prerje, procedura paraqet kirurgji ditore pa nevojë qëndrimi në spital dhe shërimi është i shpejtë – më pak se një javë – dhe nuk ka shenja të prerjes. Shikoni posht videon e bërë nga Dr. Goksu GOC.

​

·       Miomektomia me laparoskop (Miomektomia laparoskopike). Kjo procedurë përdor një laparoskop dhe një ose më tepër prerje në abdomen. Edhe pse miomektomia laparoskopike është minimalisht invazive, kërkon trajnim special të kirurgut gjinekolog. Viteve të fundit, kirurgët laparaskopikë kanë filluar ta përdorin kirurgjinë e asistuar robotike dhe kjo ka qenë veçanërisht e ndihmës për miomektomitë. Ekziston një numër i vogël gjinekologësh të trajnuar në miomektominë laparoskopike robotike. Shikoni posht videon e bërë nga Dr. Goksu GOC. Me miomektominë laparoskopike, formimi i vragës pas ndërhyrjes kirurgjike është zakonisht më i butë se me kirurgjinë e hapur; dhe koha e shërimit është relativisht e shpejtë për shkak të prerjeve minimale në bark.

​

·       Embolizimi i Arteries Uterine. Kjo procedurë relativisht e re premton, por për shkak se efektet afatgjata nuk janë studiuar ende, nuk rekomandohet ende për gratë që duan ta ruajnë fertilitetin. Procedura e embolizimit e bllokon furnizimin e miomave me gjak përmes injektimit të copëzave të vogla në arteriet të cilat i furnizojnë me gjak miomat. Për këtë qëllim, mjeku vendos një kateter përmes arteries së këmbës duke arritur deri në arterien e mitrës.

bottom of page