top of page

Shkaqet e Infertilitetit

pytje.jpg

Infertilitet >  SHKAKTARËT

​

 

Infertiliteti mund të shkaktohet nga shumë faktorë. Shkaku nuk mund të identifikohet në një prej katër rasteve

 

​

INFERTILITETI NË GRATË

 

Infertiliteti shkaktohet zakonisht nga problemet me ovulacionin (lirimin e përmuajshëm të vezës ga vezoret).

 

Disa probleme e pengojnë lirimin e vezës, kurse disa të tjerë e pengojnë lirimin e vezës në disa cikle, por jo në të tjerat.

 

Problemet e ovulacionit mund të jenë pasojë e:

  • Sindromës së vezoreve policistike (PCOS)

  • Problemeve të tiroides – gjëndra tiroide mbiaktive dhe ajo nënaktive mund ta pengojnë ovulacionin

  • Dështimit të parakohshëm të vezoreve – kur vezoret ndalen së funksionari para moshës 40 vjeçare

 

 

Vragat kirurgjikale

 

Ndërhyrjet kirurgjike në pelvik mund t’i dëmtojnë dhe të shkaktojnë vraga në gypat e mitrës të cilat i lidhin vezoret me mitrën.

 

Ndërhyrjet kirurgjike në qafën e mitrës munden po ashtu të shkaktojnë vraga dhe ta shkurtojnë qafën e mitrës.

 

 

Problemet e mukusit të qafës së mitrës

 

Gjatë ovulacionit, mukusi në qafën e mitrës bëhet më i hollë në mënyrë që sperma të jetë në gjendje të notojë më lehtë. Nëse ka probleme me mukusin, shtatzënia mund të vështirësohet.

 

 

Fibroidet

 

Rritjet jokanceroze që quhen fibroide në dhe rreth mitrës mund të ndikojnë në fertilitet. Në disa raste, mund ta pengojnë ngjitjen e vezës së fekonduar në mitër apo mund ta bllokojnë gypin e mitrës.

 

 

Endometrioza

 

Endometrioza është gjendja në të cilën pjesë të vogla të shtresës së brendshme (endometrium) të mitrës fillojnë të rriten në pjesë të tjera, siç janë vezoret.

 

Kjo mund t’i dëmtojë vezoret apo gypat e mitrës dhe mund të shkaktohen probleme të fertilitetit.

 

 

Sëmundja inflamatore e pelvikut

 

Sëmundja inflamatore e pelvikut është infeksioni i traktit të sipërm gjenital femëror, i cili e përfshin mitrën, gypat e mitrës de vezoret.

 

Shpeshherë shkaktohet nga infeksioni seksualisht i transmetueshëm. Sëmundja inflamatore e pelvikut mund t’i dëmtojë dhe të bëjë vraga në gypat e mitrës, duke e bërë të pamundur kalimin e vezës për në mitër.

 

 

Sterilizimi

 

Disa gra zgjedhin të sterilizohen nëse nuk duan të kenë më fëmijë.

 

Sterilizimi nënkupton bllokimin e gypave të mitës me qëllim të pamundësimit të kalimit të vezës nga vezorja për në mitër.

 

Rrallëherë është i kthyeshëm – nëse dëshironi korrigjimin e sterilitetit, nuk do të thotë domosdoshmërish se do të jeni në gjendje që të keni fëmijë.

 

 

Barnat dhe drogat

 

Efektet anësore të disa barnave dhe drogave mund të ndikojnë në fertilitetin tuaj. Këto janë:

  • Barnat antiinflamatore josteroide (NSAID) – përdorimi afatgjatë apo me doza të larta i këtyre barnave, siç janë ibuprofeni apo aspirina, mund ta vështirësojnë shtatzëninë

  • Kimioterapia – barnat që përdoren për kimioterapi munden ndonjëherë të shkaktojnë dështim vezoresh, që do të thotë se vezoret tuaja nuk do të funksionojnë më normalisht

  • Barnat neuroleptike – barnat antipsikotike të cilat përdoren shpesh për trajtimin e psikozës, munden ndonjëherë të shkaktojnë cikle të dështuara apo infertilitet

  • Spironolaktoni – bar i cili përdoret për trajtimin e grumbullimit të lëngjeve në organizëm; fertiliteti rikthehet zakonisht rreth 2 muaj pas ndërprerjes së marrjes së barit.

 

Drogat ilegale, siç janë marihuana dhe kokaina, mund të ndikojnë seriozisht në fertilitet dhe ta vështirësojnë ovulacionin.

 

INFERTILITETI NË BURRA

 

Sperma dhe spermatozoidet

 

Shkak i shpeshtë i infertilitetit te burrat është sperma e cilësisë së ulët, do të thotë e lëngut që i përmban spermatozoidet e ejakuluara gjatë seksit.

 

Arsyet e mundshme të spermës jonormale mund të jenë:

  • Mungesa e spermatozoideve – mund të keni numër shumë të ulët të spermatozoideve apo të mos keni fare

  • Spermatozoidet që nuk lëvizin si duhet – kjo do ta vështirësojë notimin e spermatozoideve drejt vezës

  • Spermatozoidet jonormale – spermatozoidet mund të jenë ndonjëherë me formë jonormale, gjë që e vështirëson lëvizjen e tyre dhe fekondimin e vezës

 

Shumë raste të spermatozoideve jonormale janë të pasqaruara.

 

Ekziston lidhshmëria ndërmjet temperaturës së rritur në skrotum dhe cilësisë së ulët të spermës, por nuk është e qartë nëse veshja e brekëve të lira e përmirëson fertilitetin.

 

 

Testikujt

 

Testikujt i prodhojnë dhe i ruajnë spermatozoidet. Nëse ato dëmtohen, mund të ndikojnë seriozisht në cilësinë e spermatozoideve.

 

Kjo mund të ndodh si pasojë e:

  • Infeksionit të testikujve

  • Kancerit testikular

  • Kirurgjisë së testikujve

  • Defektit të lindur (kongjenital) të testikujve

  • Moszbritjes së njërit apo të dy testikujve në skrotum (qesja lëkurore në të cilën ndodhen testikujt)

  • Lëndimit të testikujve

 

 

Sterilizimi

 

Disa burra zgjedhin që t’i nënshtrohen vazektomisë nëse nuk duan më që të kenë fëmijë.

 

Kjo nënkupton prerjen dhe lidhjen e gypave që i bartin spermatozoidet jashtë testikujve tuaj (vas deferens), prandaj sperma juaj nuk do të përmbajë spermatozoide.

 

Vazektomia mund të korrigjohet, por korrigjimet zakonisht nuk janë të suksesshme.

 

 

Çrregullimet e ejakulimit

 

Disa burra përjetojnë probleme me ejakulimin, gjë që e vështirëson lirimin e spermës gjatë marrëdhënies seksuale.

 

 

Hipogonadizmi

 

Hipogonadizmi paraqet nivelin jonormalisht të ulët të testosteronit, hormonit seksual mashkullor i cili është i përfshirë në prodhimin e spermatozoideve.

 

Mund të shkaktohet nga tumori, marrja e barnave ilegale apo nga sindroma e Klinefelterit (sindromë e rrallë që nënkupton praninë e një kromozomi shtesë femëror).

 

 

Barnat dhe drogat

 

Efektet anësore të disa barnave dhe drogave mund të ndikojnë në fertilitetin tuaj. Këto janë:

  • Sulfasalazina – bari antiinflamator që përdoret për trajtimin e gjendjeve si sëmundja e Crohnit dhe artriti reumatoid; sulfasalazina mund ta ulë numrin e spermatozoideve, por efektet e saj janë të përkohshme dhe numri i spermatozoideve duhet të kthehet në nivel normal pasi ta keni ndërprerë atë

  • Steroidet anabolike – përdoren shpesh për zhvillimin e muskujve dhe përmirësimin e performansës atletike; abuzimi afatgjatë i steroidëve anabolikë mund ta ulë numrin e spermatozoideve dhe lëvizshmërinë e tyre

  • Kimioterapi – barnat që përdoren për kimioterapi munden ndonjëherë seriozisht ta ulin prodhimin e spermatozoideve

  • Preparatet bimore – disa preparate bimore, siç janë ekstraktet e rrënjëve të bimës kineze Tripterygium wilfordii, mund të ndikojnë në prodhimin e spermatozoideve apo ta pakësojnë madhësinë e testikujve tuaj

Drogat ilegale, siç janë marihuana dhe kokaina, mund po ashtu të ndikojnë në cilësinë e spermatozoideve.

 

 

Infertiliteti i pashpjeguar

 

Infertiliteti i pashpjeguar është prezent në një në katër raste. Këto janë raste kur nuk mund të gjendet shkaku i infertilitetit te asnjëri partner.

 

Nëse shkaku i infertilitetit tuaj nuk është gjetur, bisedoni me mjekun për hapat e mëtejmë.

 

Instituti Nacional i Shëndetit dhe i Kujdesit (NICE) rekomandon që grave me infertilitet të pashpjeguar të cilat nuk kanë mundur të mbesin shtatzënë pas 2 vitesh të marrëdhënies së rregullt dhe të pambrojtur seksuale duhet t’u ofrohet trajtimi IVF.

bottom of page