Trajtimi i Infertilitetit Femeror
Infertilitet > SI MUND T’I SHTOJË GJASAT E MIA PËR SHTATZËNI?
Keni më tepër gjasë për shtatzëni nëse ju dhe partneri juaj keni shëndet të mirë.
Ndryshimi i disa veçorive të stilit jetësor mund t’i shtojë gjasat për shtatzëni dhe përjetim të një shtatzënie të shëndetshme.
Gjendjet mjekësore siç janë diabeti, astma, obeziteti dhe problemet e tjera mund të ndikojnë në shtatzëninë tuaj.
Më shumë se 80% e çifteve në popullatën e përgjithshme do të përjetojnë shtatzëni brenda një viti nëse nuk përdorin kontracepsion dhe kanë marrëdhënie të rregullt seksuale (çdo të dytën apo të tretën ditë).
Rreth gjysma e tyre që nuk përjetojnë shtatzëni brenda vitit të parë, do ta përjetojnë brenda vitit të dytë.
Pesha e shëndetshme
Pesha e tepërt apo e mangët mund të ndikojë në gjasat për shtatzëninë tuaj.
Sasi e tepërt apo e pakët e yndyrës trupore mund të shkaktojë cikël të parregullt menstrual apo ndërprerjen e tij, e cila gjë mund të ndikojë në aftësinë tuaj për të mbetur shtatzënë.
Pesha juaj është e shëndetshme nëse indeksi i masës suaj trupore (BMI) është ndërmjet 20 dhe 25.
Gratë me BMI më të lartë se 30 dhe më të ulët se 19 mund të kenë probleme për shtatzëni.
Nëse BMI-ja e partnerit tuaj është më e lartë se 30, fertiliteti i tij me gjasë po ashtu do të jetë më i ulët se normalisht.
Alkooli dhe duhani
Zyrtarët kryesorë mjekësorë në Mbretërinë e Bashkuar rekomandojnë që qasja më e mirë nëse jeni shtatzënë apo e planifikoni shtatzëninë është që të mos konsumoni alkool dhe t’i pakësoni rreziqet për fëmijën tuaj në minimum.
Partneri juaj nuk duhet të pijë më tepër se 14 njësi alkool për javë dhe pija duhet të shpërndahet barabartë në 3 ditë e më shumë. Konsumimi i tepërt i alkoolit mund të ndikojë në cilësinë e spermës së tij.
Duhani, përfshirë pirjen pasive, mund ta pakësojë fertilitetin në gra.
Nëse konsumoni duhan dhe ju duhet ndihmë për ta lënë:
-
Këshillohuni me mjekun tuaj familjar
-
Vizitojeni ueb faqen e NHS-së për lënien e duhanit
-
Telefononi në linjën për ndihmë të NHS-së në 0300 123 1044
Ekziston lidhshmëria ndërmjet konsumimit të duhanit dhe cilësisë së dobët të spermës, edhe pse efekti në fertilitetin mashkullor nuk është i qartë. Por, lënia e duhanit do ta përmirësojë shëndetin e përgjithshëm të partnerit tuaj.
Nuk ka dëshmi të qartë për lidhshmërinë ndërmjet kafeinës, e cila gjendet në pijet si kafeja, çajit, koka-kolës dhe problemeve të fertilitetit.
Një numër barnash të shkruara me recetë, që mund të blihen pa recetë apo për qëllime rekreative ndërveprojnë me fertilitetin mashkullor dhe femëror. Bisedoni me mjekun tuaj familjar nëse jeni të brengosur.
Koha më e mirë për t’u mbetur shtatzënë
Ka shumë mundësi që të mbetni shtatzënë nëse bëni seks brenda ditës së ovulacionit, në kohën kur vezoret tuaja e lirojnë qelizën vezë.
Kjo ndodh rreth 14 ditë pas ditës së parë të ciklit tuaj të fundit menstrual.
Veza është e gjallë për rreth 12 deri në 24 orë pas lirimit. Spermatozoidi duhet ta fekondojë vezën në mënyrë që të realizohet shtatzënia. Sperma mund të qëndrojë gjallë deri në 7 ditë brenda trupit tuaj.
Për gjasat më të mira për shtatzëni, duhet të keni marrëdhënie seksuale çdo të dytën apo të tretën ditë gjatë tërë muajit. Nuk duhet që ta aranzhoni kontaktin seksual me ditën e ovulacionit.
Komplikimet dhe marrja e ndihmës
Konsultohuni me mjekun tuaj nëse po provoni të keni fëmijë për më shumë se një vit pa sukses.