top of page

Trajtimi i Infertilitetit Mashkullor

images.jpg

Infertilitet > Trajtimi i infertilitetit Mashkullor

Trajtimi i Infertilitetit Mashkullor

 

Ndoshta për shkak se gruaja e mban foshnjën, e konsiderojmë shpesh infertilitetin si problem vetëm femëror. Në fakt, deri në 50% të rasteve të infertilitetit e përfshijnë partnerin mashkull.

 

Sikur për infertilitetin femëror, ekzistojnë disa trajtime për adresim të suksesshëm të infertilitetit mashkullor. Gjatë rekomandimit të opsionit për trajtimin e infertilitetit mashkullor, konsiderojmë tre faktorë të rëndësishëm:

  1. Shkakun e infertilitetit, nëse është i identifikueshëm

  2. Shkallën e jonormalitetit të spermës

  3. Moshën e partnerit femër

 

Për shkak se infertiliteti mashkullor kërkon muaj për t’u trajtuar, secili plan trajtues do të konsiderojë moshën e partnerit femër, pasi që ky është elementi kyç në suksesin e fertilitetit.

 

Vlerësimi i fertilitetit mashkullor do të përfshijë numrin e spermatozoideve dhe zakonisht një panel të testeve hormonale të gjakut, ekzaminimin fizik dhe urogjenital, si edhe testet gjenetike dhe/apo testet funksionale të spermës. Mësoni më shumë për diagnozat e problemit të fertilitetit.

 

 

Vlerësimi i Spermës

 

Shumica e meshkujve do të diagnostikohen së pari me problemin e mundshëm në bazë të rezultateve të mostrës së spermës së ejakuluar.

 

Vlerat normale të analizës së spermës, në bazë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH):

Analiza e Spermës – Standardet Minimale të OBSH-së për Përshtatshmëri

Vëllimi i Ejakulatit----------1.5-5.0 mililitra

Përqendrimi i Spermës----->20 milionë spermatozoide për mililitër

Lëvizshmëria--------------------->50%

Progresioni Përpara------2 (shkalla 1-4)

Morfologjia----------------30% formë normale (kriteret e OBSH-së)

Morfologjia---------------->4% formë normale (kriteret e Kruegerit)

 

Numri total i spermatozoideve të lëvizshme. Ndonjëherë vetëm një parametër është jonormal, ndonjëherë disa janë jonormale. Një tregues i dobishëm që e përcakton fertilitetin e përgjithshëm quhet numri total i spermatozoideve të lëvizshme. Ky numër përfaqëson numrin total të spermatozoideve të lëvizshme në ejakulat. Ky numër llogaritet në këtë mënyrë:

Vëllimi i Ejakulatit X Përqendrimi i Spermës X %Lëvizshmërisë = TMC. Nëse numri është 20 milionë ose më pak, me gjasë kemi të bëjmë me një problem “domethënës” të faktorit mashkull. Meshkujt me këtë numër që vazhdimisht del nën 5 milionë konsiderohen të kenë infertilitet “të rëndë” mashkullor.

 

Morfologjia. Një tjetër parametër i rëndësishëm në analizën e spermës është morfologjia apo forma e spermatozoideve. Forma e spermatozoideve është reflektimi i zhvillimit të duhur të spermatozoideve në testikuj apo i spermatogjenezës. Meshkujt me defekt të pjekjes së spermatozoideve kanë tendencë të kenë problem me morfologjinë e spermatozoideve dhe të jenë në rrezik që spermatozoidet e tyre të dështojnë në fekondimin e vezëve të partnereve të tyre.

 

Janë dy metoda të realizimit të analizës së spermës. Shumica e laboratorëve klinikë kryejnë vlerësimin e vrazhdë të përqindjes së spermatozoideve në ejakulat që paraqiten të kenë formën normale. Vetëm laboratorët e specializuar të andrologjisë kanë teknikë të trajnuar që mund të mund të kryejnë analizë “strikte” të spermës. Vetëm këto “kriteret e strikta” (të njohura si kriteret e Kruegerit) janë studiuar në lidhje me suksesin e apo dështimin e fertilizimit. Nëse një mashkull ka numër të ulët të spermatozoideve me formë normale në analizën morfologjike strikte të Kruegerit, ai është i rrezikuar për fertilizim të dështuar apo së paku për sukses të ulët të fertilizimit. Megjithatë, numri i shtuar i spermatozoideve me formë jonormale sipas kritereve “jostrikte” mund të tregojë për problem fertilizimi, por për të qenë i sigurt, ky test duhet sigurisht të përsëritet në një laborator që i aplikon kriteret strikte. Morfologjia strikte është një test i dobishëm për zbatim në çiftet me infertilitet të pashpjegueshëm, edhe nëse analiza e spermës dhe morfologjia jostrikte janë normale.

 

 

Opsionet për Trajtimin e Infertilitetit

 

Kirurgjia e varikocelës. Varikocela apo kompleksi i zgjeruar (dilatuar) i venave në skrotum, mund të shkaktojë ngrohjen e tepërt të testikujve duke ndikuar negativisht në prodhimin dhe cilësinë e spermës. Kirurgjia e varikocelës nënkupton lidhjen apo ligacionin e venave jonormalisht të zgjeruara për të mundësuar krijimin e një mjedisi për prodhimin e spermatozoideve të shëndetshme. Kjo kirurgji duket të jetë më e suksesshme në meshkujt varikocela e të cilëve është e madhësisë domethënëse; dhe në rastet kur numri dhe lëvizshmëria e spermatozoideve nuk janë ndikuar shumë keq.

Çfarë të pritet nga procedura? Kirurgjia e varikocelës kryhet me anestezi lokale dhe sedacion të lehtë, zgjat pak më shumë se një orë. Pacienti do të kthehet në shtëpi të njëjtën ditë dhe do të këshillohet që të pushojë disa ditë.

Rezultatet. Nëse varikocela është e madhësisë domethënëse (grada II apo III), rreth dy e treta e meshkujve që i nënshtrohen trajtimit për shkaqe infertiliteti do të përjetojnë përmirësime në cilësinë e spermës. Veçoria më e dukshme do të jetë përmirësimi në lëvizshmërinë e spermatozoideve. Shkalla e shtatzënisë së raportuar pas intervenimit është rreth 40%. Megjithatë, me rëndësi është të theksohet që shtatzënitë ndodhin 6-9 muaj pas intervenimit, prandaj duhet të merret parasysh mosha e partneres para konsiderimit të trajtimit. Mësoni më shumë për varikocelën.

 

Terapia me Clomid për numrin pashpjegueshëm të ulët të spermatozoideve. Nëse ekziston ulje e lehtë e numrit apo të lëvizshmërisë së spermatozoideve, urologu mund të përshkruajë Clomid, i cili paraqet një ilaç që përdoret zakonisht për trajtimin e grave që nuk mund të kenë ovulacion. Clomidi mund t’i stimulojë hormonet përgjegjëse për prodhimin e spermatozoideve. Numri i spermatozoideve rianalizohet pas 3-6 muajsh nga fillimi i terapisë për të vlerësuar ndonjë përmirësim të mundshëm në prodhimin e spermatozoideve.

 

Antioksindatët dhe mikronutrientët. Shumica e rasteve të infertilitetit mashkullor, edhe pas vlerësimit të plotë, do të etiketohen si “idiopatike”, që do të thotë se nuk dimë përse numri i spermatozoideve është i ulët, përse lëvizshmëria është e dobët apo përse morfologjia e tyre është e keqe (forma e keqe, forma jonormale). Shkaku mund të jetë mjedisor (ndotësit, toksinat) apo në lidhje me stilin e jetës (vaska e ngrohtë apo uji i ngrohtë për larje, duhani). Nëse shkaku gjendet dhe mund të ndryshohet, natyrisht se do të këshillohet të bëhet. Megjithatë, edhe meshkujt pa ekspozim në ndotës të caktuar apo stil jetësor normal, mund të kenë parametra të ulët të spermatozoideve. Janë shumë suplementë dietalë që dihet se i përmirësojnë parametrat dhe funksionin e spermës (siç janë L-karnitina dhe zinku). Endokrinologu riprodhues apo andrologu mund të rekomandojnë fillimin e marrjes së suplementeve vitaminoze dhe minerale për ta përmirësuar spermën aq sa mundet.

 

IUI (cikli intrauterin i inseminimit). Kur ekziston numri apo lëvizshmëria e ulët e spermatozoideve që nuk ka shpjegim, mund të rekomandojmë ciklin e inseminimit intrauterin (IUI). Sperma përpunohet dhe vendoset në mitrën e gruas rreth kohës së ovulacionit, duke i dhënë mundësi spermës së ngadalshme përparësi drejt takimit me vezën apo vezët.

Çfarë të pritet nga procedura e IUI-së. Mashkullit do t’i kërkohet të japë mostrën e spermës përmes masturbimit në shtëpi apo klinikën tonë. Sperma e tij dërgohet më pas në laboratorin tonë ku përgatitet për transfer në mitrën e gruas. Nxirren spermatozoidet më aktive, më të lëvizshme (normale) dhe ato vendosen përmes një kateteri në mitrën e gruas.

Para procedurës së këtillë, mashkullit do t’i kërkohet të përmbahet nga ejakulimi 1 deri në 3 ditë para dhënies së mostrës (megjithatë, abstenimi për më shumë se 5 ditë mund të rezultojë në lëvizshmëri të ulur).

 

IVF me ICSI për faktorin e mesëm apo të rëndë mashkullor të infertilitetit apo për raste të pashpjegueshme. Kur trajtimi kirurgjik dhe mjekësor nuk e përmirësojnë prodhimin e spermës, shumë çifte kanë sukses me fertilizimin in vitro me injektimin intracitoplazmatik të spermës (IVF me ICSI). Për ta ndihmuar procesin e IVF-së, embriologu e injekton spermatozoidin më të shëndetshëm dhe më të lëvizshëm brenda në vezë.

 

 

Korrigjimi i vazektomisë

 

Nëse mashkulli i është nënshtruar më përpara vazektomisë, mund të rekomandojmë një ndërhyrje kirurgjikale për ta korrigjuar atë. Korrigjimi i vazektomisë i rilidh tubat që i bartin spermatozoidet nga testikujt në spermë. Pas operacionit të suksesshëm, spermatozoidet janë sërish të pranishme dhe shtatzënia është e mundshme.

Çfarë të pritet? Për shkak se pas operacionit ka mundësi të formohet vraga apo të ndodh ribllokimi, rekomandojmë fuqishëm që gjatë procedurës kirurgu t’i ruajë spermatozoidet vazale. Kjo mostër mund të ngrihet për përdorim të mëvonshëm po të paraqitet nevoja. Kjo procedurë bëhet nga andrologët duke përdorur teknika mikrokirurgjikale. Kërkohet zakonisht anestezia e përgjithshme, por mund të bëhet si kirurgji njëditore dhe mund të ketë nevojë për pushim prej 2 deri në 5 ditë.

Rezultatet. Derisa shkalla e shtatzënisë pas operacionit të tillë arrin deri në 40%, duhet të kihen parasysh disa gjëra. Për shkak se duhen 6-9 muaj pas operacionit për arritjen e numrit të përshtatshëm të spermatozoideve, duhet të merret parasysh mosha e partneres. Sa më e gjatë të jetë koha ndërmjet vazektomisë dhe korrigjimit të saj, shtohen gjasat që intervenimi korrigjues të mos ketë sukses apo të paraqiten “antitrupa anti-spermë” që e pamundësojnë depërtimin e suksesshëm të spermatozoideve në vezët e gruas.

 

Trajtimi i infertilitetit me IVF-ICSI përmes nxjerrjes së spermës me MESA dhe TESE. Dy procedura që njihen si MESA dhe TESE janë shumë efektive në trajtimin e diagnozave më problematike të infertilitetit mashkullor. Këto ia mundësojnë mjekut që t’i përfitojë spermatozoidet e shëndetshme drejtpërdrejt nga trakti riprodhues mashkullor në rastet kur spermatozoidet nuk janë të afta që të lëvizin vetvetiu. Pas marrjes së spermatozoideve, ato injektohen direkt në vezë përmes procedurës ICSI.

Mjeku mund të rekomandojë MESA apo TESE nëse vazektomia korrigjuese nuk këshillohet; nëse kemi të bëjmë me Mungesën e Lindur të Vas Deferens apo në rastet e Azoospermisë Joobstruktive.

Çfarë të pritet? Procedura MESA (aspirimi mikrokirurgjik i spermës epididimale) bëhet me anestezi lokale e sedacion të përgjithshëm dhe kryhet zakonisht në Qendra Kirurgjike ditore. Në këto raste bëhet një incizon i vogël mbi testikulin dhe mundësohet grumbullimi i miliona spermatozoideve. Derisa këto spermatozoide mund të jenë plotësisht të shëndetshme dhe të fuqishme, ato nuk janë ende të pjekura, prandaj embriologët ndihmojnë duke i injektuar në vezë përmes procedurës ICSI. Spermatozoidet e marra në këtë mënyrë mund të ngrihen nëse pacienti dhe partnerja e tij vendosin për cikle të tjera ta IVF-së.

Në TESE (nxjerrja e spermës testikulare) sperma merret direkt nga testikujt apo përmes biopsisë (mostër indi). Kjo kirurgji bëhet zakonisht me anestezi lokale, pa sedacion të përgjithshëm. Sikur në rastin e MESA-s, spermatozoidet e marra injektohen në vezë (ICSI). TESE rekomandohet shpesh për meshkuj me prodhim të dobët të spermatozoideve në testikuj apo pa spermatozoide në ejakulat. Rekomandohet po ashtu në rastet me azospermi, kur nuk ka spermatozoide në epididim (tubën që e lidh testikulin me vas deferens). Procedura TESE prodhon zakonisht numër spermatozoidesh që mjafton vetëm për një cikël të IVF-së, prandaj ka mundësi që të ketë nevojë për përsëritje.

bottom of page