top of page

Diagnostikimi dhe Testimi i Fertilitetit Femëror

pytje.jpg

Infertilitet Diagnostikimi dhe Testimi i Fertilitetit Femëror

Diagnostikimi dhe Testimi i Fertilitetit Femëror

 

Mosha. Është i mirënjohur ndikimi i moshës mbi riprodhimin femëror. Në përgjithësi, mosha e gruas është njëri prej përcaktuesve dhe parashikuesve kryesor nëse ajo do të jetë në gjendje të mbes shtatzënë me vezët e saj. Pas moshës 43-vjeçe, gjasa për të ndodhur kjo gjë pakësohet dukshëm (me këtë rritet edhe përqindja e aborteve dhe i jonormaliteteve kromozomale) sa që opsioni me gjasë më i mirë mbetet dhurimi i vezëve. Pas rreth moshës 35-vjeçe, me rënien më të mprehtë të fertilitetit natyror, shumë gra përjetojnë atë që në e quajmë “sub-fertilitet në lidhje me moshën”. Kjo nënkupton që në këto raste nuk kemi probleme specifike të fertilitetit, por se problemi buron nga plakja e organizmit dhe nga rënia e aftësisë së vezës për ta mbajtur shtatzëninë.

 

Ovulacioni. Nuk ka fekondim pa ovulacion. Ciklet e rregullta mujore të menstruacionit nënkuptojnë ovulacionin. Sindroma Policistike e Vezoreve, Anovulacioni Hipotalamik, Pamjaftueshmëria e Fazës Luteale dhe problemet me hormonet e tjera, siç janë hormonet tiroide apo prolaktina, mund të interferojnë me ovulacionin. Shumë gra mund të kenë ovulacione në 40-at apo madje 50-at e tyre, por cilësia e vezëve të ovuluara është kritike. Gratë e reja që nuk kanë ovulacion të rregullt mund të nxiten (indukohen) për ovulacion përmes ilaçeve për fertilitet të cilat mund të jepen me gojë apo në formë injeksionesh.

 

Rezerva e Vezoreve. Ky është koncepti që ka të bëjë me potencialin riprodhues të gruas dhe me gjasat që gruaja të jetë në gjendje të ketë shtatzëni të shëndetshme dhe të frytshme me vezët e veta. Rezervën e vezoreve e testojmë me teste të gjakut (niveli i FSH dhe Estradiolit në ditën 2-3 të ciklit dhe niveli i hormonit anti-Mullerian), si edhe me ultratingull përmes të cilit shihen vezoret.

 

Gjendja e Tubave. Infeksioni, vragat post-kirurgjikale apo sëmundja e quajtur endometriozë mund të shkaktojnë bllokimin, lakimin apo gjarpërimin formës së tubave. Këto e pengojnë bashkimin e vezës me spermën dhe mund të çojnë drejt shtatzënisë tubale (ektopike). Testi i quajtur HSG (histerosalpingogrami) është mënyra e vetme jokirurgjikale për vlerësimin e kalueshmërisë së tubave terine – kjo është mënyra për të përcaktuar nëse tubat janë të hapura apo jo.

 

Mitra dhe Shtresa e Endometriumit. Fibroidet, polipet dhe vragat brenda mitrës nga ndërhyrjet e mëhershme janë disa prej faktorëve që mund ta dëmtojnë shtresën e brendshme të mitrës dhe të shkaktojnë pamundësinë e ngjitjes së embrionit për të. Ultratingulli i thjeshtë i bërë para ovulacionit mjafton në shumicën e rasteve për të diagnostikuar çdo lloj problemi. Megjithatë, në rastet e paqarta, mund të bëhen sonohisterogrami (ultratingulli gjatë të cilit lëngu fiziologjik steril injektohet brenda mitrës) dhe histeroskopia (ndërhyrja kirurgjike për ta parë brendinë e mitrës). Shumica e këtyre problemeve mund të korrigjohen kirurgjikisht.

 

Gjenetika. Disa pacientë kanë sëmundje gjenetike që mund të shkaktojnë infertilitet, siç është sindroma X fragjile. Disa gra (dhe meshkuj) mund të kenë riaranzhime të tilla brenda kromozomeve të tyre sa që vezët dhe sperma e partnerit mund të përmbajnë kromozome jonormale dhe kjo gjë mund të çojë drejt aborteve të përsëritura dhe infertilitetit. Këto probleme janë të rralla, por ekzistojnë.

 

Endometrioza. Kjo është njëra prej sëmundjeve të moshës riprodhuese të grave e cila është fuqishëm e ndërlidhur me infertilitetin. Kirurgjia është mënyra e vetme për diagnozën definitive. Mirëpo, kirurgjia ndihmon shumë pak në përmirësimin e gjasës për shtatzëni edhe nëse endometrioza diagnostikohet dhe trajtohet në mënyrë kirurgjikale. Kjo ndodh për shkak se sëmundja ka përqindje të lartë të rishfaqjes. Për këtë arsye, nuk bëhen shpesh intervenime kirurgjikale në kërkim të endometriozës. Prandaj, shumë gra që janë të diagnostikuara me “infertilitet të pashpjegueshëm” mund të jenë duke vuajtur nga endometrioza, mirëpo ajo nuk ndryshon planin e trajtimit të infertilitetit.

​

Diagnostikimi dhe Testimi i Fertilitetit Mashkullor dhe Femëror

 

Disfunksioni seksual. Edhe pse kjo gjendje në radhë të parë ka të bëjë me njërin apo tjetrin partner në çift (p.sh. disfunksioni erektil te meshkujt, vagjinizmi te gratë), disfunksioni seksual shpeshherë është problem i çiftit dhe duhet të adresohet duke e bërë vlerësimin e të dy partnerëve.

 

Infertiliteti i Pashpjegueshëm. Kjo është diagnoza e cila përcaktohet pasi që të gjitha testet të rezultojnë normale. Shumë çifte që nuk arrijnë shtatzëninë pas 1-2 vitesh të provës dhe me të gjitha testet që dalin të jenë normale, mund të kenë subfertilitet të lidhur me moshën apo endometriozë. Nga ana tjetër, mund të ekzistojnë diagnoza apo probleme të tjera mjekësore të cilat nuk i kemi kuptuar ende. Diagnoza më e vonshme e “Rezervës së Ulur të Vezoreve” ka filluar të përdoret para rreth 20 vitesh.

 

Testet Bazike për Gra:

  • Niveli i FSH dhe i Estradiolit në Ditën 2-3 të Ciklit

  • Hormoni Anti-Mullerian

  • Prolaktina

  • TSH

  • Ultratingulli në Mes të Ciklit

  • Histerosalpingogrami (HSG)

 

Testet e Specializuara për Gra:

  • Sonohisterogrami apo histeroskopia

  • Kirurgjia laparoskopike (intrapelvike)

  • X Fragjil

  • Kariotipi (Testi për kromozome i bërë me mostrën e gjakut)

  • Testosteroni, 17-Hidroksi-Progesteroni, Sheqeri në gjak esëll dhe Insulina (Për pacientët me Sindromë Policistike të Vezoreve)

 

Testet Bazike për meshkuj:

  • Analiza e Spermës

 

Testet e Specializuara për Meshkuj:

  • Kariotipi (Testi për kromozome i bërë me mostrën e gjakut)

  • Analiza e mikro-delecionit të ADN-së në kromozomin Y (test gjaku)

  • Analiza e Veçimit të Kromatinës së Spermës (SCSA) për fragmentimin e ADN-së (test i spermës)

bottom of page