Ciste e vezoreve
Cistet e vezoreve janë qeska të mbushura me lëng që zhvillohen brenda ose
në sipërfaqe të vezoreve. Janë shumë të shpeshta dhe shfaqen para ose pas
menopauzës.
.
Gjinekologjia > Cist e vezoreve
Cistet e vezoreve janë qeska të mbushura me lëng që zhvillohen brenda ose në sipërfaqe të vezoreve. Janë shumë të shpeshta dhe shfaqen para ose pas menopauzës. Në shumicën e rasteve nuk shkaktojnë simptoma dhe janë
zakonisht beninje (jokanceroze). Megjithatë, nëse vezorja përdridhet për shkak të cistit (e cila njihet si torsion) apo nëse cisti kullon apo gjakon brenda vetes, mund të paraqitet dhembja në barkun apo pelvikun tuaj.
Llojet e cisteve të vezoreve
Janë shumë lloje të ndryshme të cisteve të vezoreve. Ato mund të klasifikohen në dy grupe të mëdha, për ta ndihmuar shpjegimin se si formohen ato: ciste funksionale dhe ciste patologjike.
Cistet funksionale
Shumica e cisteve të vezoreve janë ciste funksionale. Kjo do të thotë se ato zhvillohen si pjesë e ciklit tuaj të zakonshëm menstrual.
Vezorja juaj prodhon çdo muaj disa folikula (kokrra të mbushura me lëng), njëra prej të cilave do të piqet dhe do ta lëshojë një vezore. Pasi të lirohet veza, folikuli shndërrohet normalisht në diçka që quhet “korpus luteum”. Ky trupth liron hormone specifike që ndihmojnë shtresën e brendshme të mitrës suaj që të zhvillohet dhe të përgatitet për pranimin e vezës së fertilizuar. Nëse veza nuk fertilizohet, trupthi i quajtur korpus luteum fillon të shkatërrohet. Kjo ndodh pas rreth 14 ditësh.
Lloje të ndryshme të cisteve të vezoreve mund të rriten në faza të ndryshime të ciklit tuaj. Nëse folikuli nuk e liron vezën, ajo mund të rritet dhe të zhvillohet në cist. Ky quhet cist folikular. Nëse korpus luteumi nuk shkatërrohet pas lirimit të vezës, mund të vazhdojë të rritet. Ky quhet cist i korpusit luteal.
Cistet patologjike
Këto ciste nuk zhvillohen si rezultat i asgjëje që ka të bëjë me funksionin e zakonshëm të vezoreve tuaja. Ato mund të zhvillohen nga rritja e tepërt e qelizave apo si pasojë e ndonjë gjendjeje të veçantë, siç është endometrioza. Janë lloje të ndryshme varësisht nga tipi i qelizës prej së cilës zhvillohen.
Cistet patologjike quhen ndonjëherë tumore, por kjo nuk do të thotë se janë domosdoshmërish kanceroze. Shumë rrallë cisti i vezoreve mund të jetë kanceroz (malinj).
Simptomat e cisteve të vezoreve
Shumica e cisteve të vezoreve nuk shkaktojnë ndonjë simptomë, prandaj mund të mos dini se keni cist.
Megjithatë, varësisht nga lloji i cistit të cilin e keni, ka mundësi që:
- të keni dhembje apo shqetësim në pjesën e poshtme të barkut apo në pelvik (ndërmjet kërdhokullave)
- të keni dhembje gjatë marrëdhënies seksuale të dilni për urinim më shpesh apo më shpejt
- të keni vështirësi gjatë kryerjes së nevojës së madhe apo të ndjeni presion në zorrën e trashë që mund t’ju detyrojë të shkoni më shpesh në nevojtore
- të ndjeni fryrje
- të keni çrregullim të tretjes apo djegie në lukth, apo të ndiheni të mbushur pas ushqimit
- të keni cikle të dhembshme menstruale apo ndryshim të ritmit të ciklit
​
Diagnoza e cisteve të vezoreve
Shumica e cisteve të vezoreve nuk shkaktojnë simptoma, prandaj mund të mësoni se keni cist nëse bëni ndonjë test, siç është ultratingulli.
Ultratingulli transvagjinal është testi më i besueshëm për cistin e vezoreve. Mund të bëni edhe ultratingull abdominal nëse cisti është i madh sa që duket apo për të përjashtuar ndonjë gjendje tjetër patologjike.
​
Nëse e keni kaluar menopauzën, mjeku juaj mund të kërkojë test gjaku për një substancë që quhet CA-125. Nëse niveli i CA-125 në gjakun tuaj është i rritur, mund të nënkuptojë që keni kancer të vezoreve. Megjithatë, nuk do të thotë secilën herë që ky është rasti. Niveli i CA-125 mund të rritet edhe në kushtet e tjera beninje (jokanceroze), si endometrioza, fibroidet etj.
Trajtimi i cisteve të vezoreve
Nëse keni cist të vezoreve, opsionet e trajtimit do të varen nga disa gjëra, si edhe nga preferenca juaj personale. Këto përfshijnë:
- llojin e cistit - madhësinë e cistit - nëse keni simptoma - nëse e keni kaluar menopauzën Pritja vigjilente
Nëse cisti juaj është i vogël dhe nuk shkakton simptoma shqetësuese, mjeku juaj mund të sugjerojë përcjelljen e afërt të tij, por pa fillim të menjëhershëm të trajtimit. Nëse nuk shkakton kurrë probleme, mund të mos keni nevojë kurrë për trajtim. Shumica e cisteve funksionale me gjasë do të zhduken brenda disa muajsh dhe nuk do të shkaktojnë probleme. Kjo qasje nënkupton që nuk ka rrezik nga trajtimi i cili nuk ju duhet.
Gratë para menopauzës
Në gratë që kanë ende cikël menstrual, cistet më të vogla se 5 centimetra zhduken zakonisht vetvetiu brenda dy deri në tre cikle menstruale.
Nëse cisti juaj i vezores është më i madh (ndërmjet 5 dhe 7 centimetra), mjeku juaj mund t’ju sugjerojë ultratinguj të përsëritur për t’u siguruar se ai nuk rritet.
Gratë pas menopauzës
Në gratë që e kanë kaluar menopauzën, rreth gjysma e cisteve më të vogla se 5 centimetra zhduken vetvetiu brenda tre muajsh. Nëse cisti juaj nuk shkakton probleme, mjeku juaj me gjasë do ta kërkojë përsëritjen e ultratingullit pas 4 deri në 6 muajsh për të verifikuar nëse ai rritet. Nëse nuk është rritur, mund të kërkohet një ultratingull tjetër pas 4-6 muajsh. Duhet ta përsëritni edhe testin e gjakut për CA-125. Nëse nuk ka ndryshime, mjeku juaj mund të sugjerojë të mos bëni më tepër përcjellje.
Shtatzënia
Cistet gjatë shtatzënisë pothuajse gjithmonë zhduken vetvetiu. Në javën 16-20 të shtatzënisë, 9 prej 10 cisteve do të zhduken. Mjeku juaj mund të konsiderojë heqjen e cistit nëse shkakton dhembje apo rritet shumë shpejt.
Kirurgjia
Nëse cisti juaj është më i madh apo shkakton simptoma, mjeku juaj me gjasë do të sugjerojë që t’i nënshtroheni ndërhyrjes kirurgjike për ta larguar atë. Me cist të madh nënkuptohet cisti më i madh se 5 centimetra nëse jeni pas menopauzës apo më i madh se 7 centimetra nëse jeni ende me cikël menstrual. Mjeku juaj ka gjasë më të madhe të sugjerojë ndërhyrje kirurgjike nëse cistet tuaja janë të përbëra. Kjo do të thotë kur pjesë të cistit janë të forta, jo të lëngshme. Edhe nëse cisti juaj është më i vogël se 7 centimetra, mjeku juaj mund të sugjerojë ndërhyrje kirurgjike nëse jeni para menopauzës apo nëse cisti nuk zhduket vetvetiu pas disa ciklesh menstruale.
Janë dy mënyra të ndërhyrjes kirurgjike për cistin e vezoreve:
- Kirurgjia e mbyllur (laparoskopia)
- kirurgjia e hapur (laparotomia)
​
Me gjasë më të madhe do t’ju ofrohet kirurgjia e mbyllur. Ky lloj i operacionit bëhet përmes prerjeve të vogla me ç’rast kirurgu përdor një gyp me një teleskop dhe kamerë për ta parë brendinë e trupit. Koha e shërimit është zakonisht më e shpejtë se ajo e kirurgjisë së hapur, me më pak komplikime dhe dhembje pas operacionit.
Mjeku juaj mund të zgjedh të bëjë operacion të hapur nëse keni cist të madh dhe të përbërë. Mund t’i nënshtroheni kirurgjisë së hapur nëse ekziston dyshimi që cisti mund të jetë kanceroz. Kirurgjia e hapur ka nevojë për prerje më të madhe, prandaj shërimi mund të zgjasë më tepër.
Shkaqet e cisteve të vezoreve
Nëse përdorni kontracepsion me progestogen, kjo mund të shkaktojë rritjen e rrezikut për ciste funksionale. Shembuj të kontracepsionit me progestogen përfshijnë tabletat vetëm me progestogen, sistemi intrauterin (Mirena) apo implanti kontraceptiv (nexplanon). Disa hormone që janë përdorur për trajtimin e infertilitetit mund të shkaktojnë zhvillimin e cisteve funksionale në vezoret tuaja. Nëse e përdorni barin e quajtur tamoxifen për kancerin e gjirit, mund të zhvilloni ciste, por ato zakonisht tërhiqen pas mbarimit të trajtimit. Nëse jeni shtatzënë, cistet e vezoreve mund të formohen për shkak të ndryshimit të nivelit të hormoneve gjatë shtatzënisë. Gjëndra tiroide pak aktive mund ta shtojë rrezikun e zhvillimit të cisteve të vezoreve. Mund të jeni në rrezik për ciste të vezoreve nëse keni endometriozë. Nëse konsumoni duhan, mund të shtohet rreziku për zhvillimin e cisteve të vezoreve.
Komplikimet e cisteve të vezoreve
Rrallëherë cisti mund ta shkaktojë përdredhjen e vezores e cila quhet torsion, apo cisti mundet papritmas të shpërthejë. Të dyja problemet mund të shkaktojnë dhembje intensive në barkun tuaj. Mund të keni edhe ethe dhe të keni vjellje.
Këto komplikime nuk janë të zakonshme. Por, nëse jeni diagnostikuar me cist dhe i keni këto simptoma, mund t’ju duhet t’i nënshtroheni ndërhyrjes urgjente kirurgjike.
A do të ndikojë cisti i vezores në shtatzëninë time?
Cistet e vezores nuk ndikojnë zakonisht në fertilitetin tuaj. Por, nëse ju duhet kirurgjia për ta larguar cistin, kjo mund të ndikojë në aftësinë tuaj për të pasur fëmijë. Shumica e cisteve të vezoreve janë funksionale. Ato janë zakonisht të vogla dhe do të largohen vetvetiu pa trajtim. Në disa raste, cistet duhet të trajtohen me kirurgji.
Nëse duhet t’i nënshtroheni ndërhyrjes kirurgjike dhe nëse është e mundshme, vetëm cisti do të largohet, kurse vezorja jo. Megjithatë, nëse cisti juaj është shumë i madh ose nëse vezorja është e përdredhur, mund të ketë nevojë për largim të vezores. Nëse vezorja duhet të largohet, ju do të jeni ende në gjendje për të pasur fëmijë, pasi do të keni një vezore tjetër apo madje një pjesë të vezores. Nëse gjatë operimit kirurgu sheh se cisti është kanceroz, mund të ketë nevojë për largim të vezores. Nëse mësohet se keni kancer të vezores, ekziston mundësia që duhet të largohet edhe mitra (histerektomia). Porm kirurgu këtë do ta bëjë në një operacion të dytë, pasi ta keni dhënë pëlqimin. Nëse i nënshtroheni histerektomisë, nuk do të keni mundësi të mbeteni shtatzënë.
Mbani mend që kanceri i vezores është më pak i mundshëm në gratë para menopauzës me cist të vezores.
Do të keni mundësinë që t’i diskutoni të gjitha opsionet me gjinekologun tuaj para se t’i nënshtroheni ndërhyrjes kirurgjike, prandaj sigurohuni që të bisedoni me të rreth fertilitetit dhe rëndësisë që paraqet për juve. Kirurgu nuk do të jetë në gjendje që të japë garanci të plota paraprakisht për çfarëdo komplikimi të mundshëm. Por gjatë operacionit, do të bëjë përpjekjen maksimale për të siguruar që vezorja juaj të mos largohet.
A nënkupton që kam kancer nëse kam cist të vezores?
Shumica e cisteve të vezoreve nuk janë kanceroze. Në gjuhën mjekësore, ato nuk jam malinje – ato janë beninje.
Rreth 1 në 1000 ciste të vezoreve janë kanceroze në gratë që nuk kanë hyrë në menopauzë. Rreth 3 në 1000 ciste të vezoreve mund të shndërrohen në kanceroze në gra mbi moshën 50-vjeçe.
Megjithatë, rreziku për kancer të vezores pas cistit të vezores varet nga disa faktorë, përfshirë:
llojin e saktë të cistit të cilin e keni nëse keni pasur apo nëse jeni në gjendje për të pasur fëmijë nëse keni pasur kancer gjiri apo vezore (apo të afërm që kanë)
Do t’i nënshtroheni disa testeve për të kontrolluar nëse cisti juaj i vezores është beninj apo kanceroz. Shikoni në seksionit tonë të diagnozës për më shumë informata.
Kontaktoni me neve nëse jeni të brengosur për kancerin e vezores.
Cili është dallimi ndërmjet PCOS dhe cistit të vezores?
Në një pikë të caktuar të periudhës riprodhuese, një në tri gra kanë ciste në vezoret e tyre, të cilat ciste mund të shihen në ultratingull. Kjo nuk është e njëjtë me sindromën e vezoreve policistike (PCOS). Gratë me ciste në vezoret e tyre shpesh nuk kanë simptoma dhe cisti zakonisht zhduket vetvetiu.
Gratë me sindromë të vezoreve policistike (PCOS) mund të kenë shumë ciste në vezoret e tyre, por ato kanë jonormalitete në mënyrën se si trupat e tyre prodhojnë dhe i menaxhojnë hormonet seksuale. PCOS paraqet një grumbull simptomash që i përfshijnë cistet në vezore. Gratë me PCOS mund të:
prodhojnë në nivele më të larta se normalja hormone mashkullore (androgjene) jenë më pak të ndjeshme në insulinë se normalisht kenë nivele më të larta se normalja të hormonit të hipofizës që quhet hormoni luteinizues kenë nivele më të larta se normalja të estrogjenit.
Ekzistojnë kësisoj disa çrregullime të ekuilibrit të hormoneve që ndërlidhen me PCOS. Këto ndryshime në nivelet e hormoneve shkaktojnë disa simptoma të ndryshme. Ato janë:
- infertiliteti
- shtimi i qimeve të fytyrës dhe të trupit (hirsutizmi)
- mungesa (amenorea) apo çrregullimi i ciklit menstrual
- akne
- rënia e flokëve
- shtimi i peshës
Gratë me PCOS kanë vezore mesatarisht tri herë më të mëdha se ato normale, por për të shkaktuar konfuzion, disa gra me PCOS nuk - kanë ciste në vezoret e tyre. Mungesa e ovulacionit dhe çrregullimet hormonale të përshkruara më lart mjaftojnë për diagnozën.
Nëse mjeku juaj është duke hulumtuar për këtë gjendje, do t’i nënshtroheni disa testeve të gjakut. Këto duhet t’i dëshmojnë disa nga çrregullimet hormonale që i kemi përmendur më sipër në mënyrë që të arrihet diagnoza definitive e PCOS. Për më shumë informata, shikoni pikën tonë për sindromën e vezoreve policistike.
​
​
​