top of page

Vlerësimi i Funksionit të Vezoreve        

Çrregullimet e ovulacionit, të cilat paraqesin njërën prej diagnozave më të shpeshta të fertilitetit, janë zakonisht të lehta për trajtim.

Infertilitet > Vlerësimi i Funksionit të Vezoreve        

Çrregullimet e ovulacionit, të cilat paraqesin njërën prej diagnozave më të shpeshta të fertilitetit, janë zakonisht të lehta për trajtim. Vezoret e grave kanë dy funksione të kyçe: ato prodhojnë një vezë të pjekur e cila është e aftë për fertilizim çdo muaj (ovulacioni) dhe i prodhojnë hormonet estrogjen dhe progesteron të cilat janë esenciale për krijimin dhe mirëmbajtjen e shtatzënisë. Hormoni është një “kasnec kimik” i cili ndikon në një qelizë, organ apo funksion të caktuar të trupit. Hormonet i rregullojnë funksionet jetike, siç janë rritja, metabolizmi, funksioni seksual dhe riprodhimi. Derisa deri në 20% të çifteve infertile diagnostikohen me çrregullime të ovulacionit; 90% e grave janë në gjendje të arrijnë ovulacionin dhe pothuajse të gjitha, në varësi nga mosha, janë të afta për shtatzëni.

 

Ekzistojnë disa mënyra për të mësuar nëse një grua ka ovulacion rregullisht dhe nëse prodhon vëllim të mjaftueshëm hormonesh:

 

Ekzaminimi mjekësor.

Hapi i parë për vlerësimin e shëndetit të vezoreve është ekzaminimi i plotë fizik dhe pelvik, si edhe anamneza e detajuar mjekësore. Një ekzaminim i tillë duhet t’i përmbajë edhe informatat e mëposhtme:

  • Anamnezën menstruale (të vetë pacientes dhe të anëtareve të tjera relevante të familjes). Nëse një grua nuk ka cikle të rregullta menstruale apo nuk ka cikël fare, ky është tregues i qartë që ekziston një problem me ovulacionin.

  • Anamnezën seksuale dhe kontraceptive.

  • Çfarëdo ndërhyrje të mëparshme kirurgjikale.

  • Shtimin apo humbjen e theksuar të peshës, vlerësimin e gjendjes nutricionale, dietën dhe anamnezën për anoreksinë apo buliminë e mëparshme.

  • Ndonjë ngjarje stresuese rishtas

  • Nivelin e ushtrimeve

  • Gjendjen e gjëndrave adrenale, tiroide dhe hipofizare, që janë përgjegjës për udhëheqjen e hormoneve kyçe riprodhuese.

 

Ultratingulli i pelvikut.

 Ultratingulli e ekspozon një pjesë të caktuar të trupit ndaj valëve zanore të frekuencës së lartë me qëllim të prodhimit të pamjes për atë pjesë të caktuar që ekzaminohet. Ultratingulli është i shkurtër, joinvaziv dhe pa dhembje. Për ta realizuar ultratingullin, një instrument i hollë që quhet transdjuser futet në vagjinë. Transdjuseri emeton valë zanore të frekuencës së lartë dhe i regjistron jehonat kthyese nga indet e trupit. Pamja e përfituar që shikohet në “kohë reale” mund të japë informata për shëndetin e folikulave të vezëve, si edhe për çfarëdo problemi ekzistues, siç janë cistat e vezoreve.

 

Testet e gjakut për nivelin e Progesteronit, Hormoneve Tiroide dhe Prolaktinës në serum. Këto janë teste gjaku për matjen e hormoneve që janë thelbësore për krijimin e mirëmbajtjen e shtatzënive të shëndetshme:

  • Testi i Progesteronit në serum. Ky test e bën matjen e nivelit të hormonit të vezoreve i cili quhet progesteron dhe i cili luan rol jetik në shtatzëni. Nëse matet përafërsisht një javë para fillimit të ciklit menstrual, ky test gjaku mund të shërbejë si njëra prej metodave më të thjeshta dhe më të sakta për detektimin e ovulacionit. Meqenëse niveli i progesteronit mund të luhatet gjatë ditës, matja e progesteronit nuk ndihmon shumë sikur që është menduar dikur në përcaktimin e cilësisë hormonale të ovulacionit.

  • Testi i Hormonit Stimulues të Tiroideve (TSH). Hormonet e tiroides ndikojnë në sistemin riprodhues. Nivelet e larta dhe të ulëta të tyre mund të ndërveprojnë me funksionet hormonale të cilat janë thelbësore për ovulacionin dhe shtatzëninë.

  • Testi i Prolaktinës. Ky hormon është përgjegjës për prodhimin e qumështit të gjirit dhe është i rëndësishëm për shtatzëni, megjithëqë niveli i lartë i tij mund ta inhibojë ovulacionin.

 

Grafiku i temperaturës bazike të trupit.

Kjo është mënyrë e përcjelljes së ciklit menstrual me qëllim që të shihet se kur e ka ovulacionin pacientja. Niveli i progesteronit rritet një ditë pas ovulacionit dhe nga fundi i ciklit mujor menstrual. Progesteroni e mbështet endometriumin apo shtresën e brendshme të mitrës, duke krijuar kësisoj një mjedis ushqyes për vezën e fertilizuar. Me rritjen e nivelit të progesteronit vjen edhe rritja e temperaturës trupore. Me përcjelljen e ndryshimeve të temperaturës, mund të parashikohet ovulacioni.

 

Derisa përcjellja e temperaturës bazike trupore është një mënyrë e thjeshtë dhe e lirë e sigurimit se ovulacioni është duke ndodhur, ndryshimet normale të temperaturës mund të na udhëzojnë gabimisht dhe matja temperaturës për çdo mëngjes mund të jetë dëshpëruese për shumë kënd. Duhet shtuar që temperatura nuk rritet deri PASI të ketë ndodhur ovulacioni, prandaj kjo përcjellje nuk mund të përdoret si tregues prognostik se kur do të ndodh ovulacioni. Për këto arsye, nuk sugjerojmë më këtë metodë.

 

Pajisja për Parashikimin e Ovulacionit.

 Kjo paraqet metodën e vetme të parashikimit të ovulacionit. Me këtë test kërkohet nga gruaja që të urinojë në një shkop, i cili më pas tregon nëse ka rritje të nivelit të hormonit luteinizues (LH), i cili është përgjegjës për nxitjen e ovulacionit. Për shumicën e pajisjeve, rezultati pozitiv nënkupton që ovulacioni do të ndodh brenda 24 orëve. Pajisja është e dobishme për përcaktimin e terminit të aktit seksual apo të inseminimit. Për shkak se e mat hormonin kyç përgjegjës për ovulacionin, ajo mund të tregojë nëse ovulacioni është në të vërtetë duke ndodhur apo jo. Ne e rekomandojmë modelin “Clear Blue Easy” të testimit digjital, i cili mund të gjendet në shumicën e dyqaneve.

 

Vlerësimi i cilësisë së vezës.

Funksioni tjetër kyç i vezores, ai i prodhimit të vezës, mund të vlerësohet përmes testeve të gjakut i cili jepet në kohët kyçe të ciklit menstrual. Testet e tilla mund të tregojnë për cilësinë e vezëve të gruas dhe për gjendjen e numrit të vezëve apo rezervën e vezoreve.

 

Është me rëndësi për mjekun e pacientes që të dijë gjendjen e prodhimit dhe të cilësisë së vezëve, në mënyrë që të japë vendime terapeutike. Edhe atëbotë kur nivelet e hormoneve tregojnë për cilësi të dëmtuar të vezëve, trupi i gruas është shpesh e aftë që ta mbështes shtatzëninë. Në këso raste, dhurimi i vezës (rastet në të cilat nëna pranuese i përdor vezët e një gruaje më të re) mund të jetë shumë i suksesshëm.

 

Testi i FSH-së (hormoni stimulues i folikulave) dhe i Estradiolit në gjak.

Nëse realizohet në ditën e dytë apo të tretë të ciklit menstrual, ky test e mat FSH-në, hormonin kryesor përgjegjës për nxitjen e prodhimit të vezës dhe po ashtu estradiolin, hormonin më të rëndësishëm prej estrogjeneve i cili është përgjegjës për shëndetin e vezores dhe rritjen e organeve riprodhuese. Me rritjen e moshës dhe uljen e prodhimit të vezëve, nivelet e FSH-së dhe të estradiolit do të rriten. Kjo rritje është sinjal që trupi ka vështirësi në prodhimin e vezëve dhe po punon më tepër për ta “kompensuar” këtë ngecje. Niveli ideal i FSH-së në ditën e dytë apo të tretë të ciklit është 4 deri në 8 mIU/mL. Nivelet e ulëta janë më të mira se ato të larta. Niveli më i lartë se 10 mIU/mL sugjeron për një problem me rezervën e vezoreve. Niveli ideal i Estradiolit është 30 deri në 50 pg/mL dhe shërben zakonisht për ta validuar informatën që FSH-ja është marrë për testim në kohën e saktë të ciklit.

 

Hormoni Anti-Mullerian (AMH). 

Testi më i ri është testi i Hormonit Anti-Mullerian. Ky hormon prodhohet drejtpërdrejt nga folikulat në zhvillim në vezore dhe më pak varet nga koha e ciklit të gruas. Niveli ideal është 1.0 apo më i lartë. Nivelet më të larta janë më mirë.

 

CCT (Testi i Clomidit).

 Kjo është një matje më e gjerë e vëllimit të vezëve në të cilën nivelet e hormoneve FSH dhe Estradiol maten para dhe pasi që gruaja ta ketë marrë ilaçin e fertilitetit të quajtur Clomid.

 

Vlerësimi i mungesës së ciklit menstrual.

Grave të cilat duken se nuk kanë cikël menstrual mund t’u jepet ilaçi i ngjashëm me progesteronin i cili quhet Provera me qëllim të nxitjes së menstruacionit. Nëse pas dhënies së Proveras menstruacioni ndodh, kjo nënkupton që estrogjeni është duke u prodhuar dhe kjo dëshmon që mitra është e shëndetshme. Mungesa e menstruacionit pas marrjes së Proveras mund të jetë shenjë se gjëndra e hipofizës në tru, e cila është përgjegjëse për kontrollimin e prodhimit dhe të ekuilibrit të hormoneve, e ka të pamundur që të funksionojë si duhet. Përderisa nuk ka tregues që që gruaja ka hyrë në menopauzë (si p.sh. niveli shumë i lartë i FSH-së), rrethana që e shkakton mungesën e ovulacionit zakonisht mund të trajtohet.

 

Vlerësimi i funksionit të tubave uterine. 

Tubat uterine paraqesin rrugën drejt fertilitetit. Pas ejakulimit, sperma hidhet në vagjinë dhe pastaj noton përmes qafës së mitrës drejt brendisë së saj dhe më pas drejt tubave uterine, ku ajo takohet me vezën dhe e fertilizon atë. Tkurrjet e muskulaturës së lëmuar të tubave uterine dhe lëvizjet e fibrave të tubave e lëvizin vezën e fertilizuar (embrionin) prapa në drejtim të mitrës. Për shkak se çdo bllokim apo dëmtim i këtij mekanizmi fragjil mund të ndërhyjë në fekondim, vlerësimi i shëndetit të tubave është hapi i parë. Në shumë raste, problemet e tubave mund të trajtohen. Testet e mëposhtme përdoren zakonisht për vlerësimin e shëndetit të tubave:

 

Histerosalpingogrami. 

Ky është një ekzaminim me rreze X gjatë të cilit sasi e vogël substance të kontrastit injektohet në mitër dhe tuba uterine. Rrezet X përcillen në ekran gjatë realizimit të procedurës. Me përhapjen e kontrastit, ai e ndriçon çdo lloj bllokimi (siç janë indi i vragëzuar apo fibroidet) i cili mund të pengojë kalimin e vezëve në mitër. Procedura ia mundëson po ashtu mjekut që ta shohë strukturën e vetë mitrës në mënyrë që ta vlerësojë nëse ajo është e gatshme ta pranojë vezën e fertilizuar. Histerosalpingogrami realizohet në javën e dytë të ciklit menstrual (p.sh. pas ndaljes së gjakderdhjes së ciklit menstrual, por para ovulacionit). E tërë procedura zgjat rreth 10 minuta. Efektet anësore, nëse paraqiten, janë shtangiet dhe dhembja pelvike. Marrja e Ibuprofenit para procedurës mund të ndihmojë me qetësimin e simptomave. Shumica e grave mund të vazhdojnë menjëherë me aktivitetet ditore.

 

Gjendjet të cilat mund të shkaktojnë infertilitet

 

Vlerësimi i detajuar i infertilitetit mund t’i japë informata mjekut për gjendjet në sistemin riprodhues mashkullor apo femëror që mund të shkaktojnë infertilitet.

bottom of page