top of page

PYETJET ME TE SHPESHTA LIDHUR ME INFERTILITETIN

Updated: May 5, 2020

  1. Çka është infertiliteti?

  2. A mund të shkaktohet infertiliteti për shkak të ndonjë faktori të partnerit mashkull?

  3. Çka ndodh gjatë vlerësimit fillestar të infertilitetit?

  4. A ka mundësi të ketë cikël, por pa ovulacion?

  5. Çka nënkupton Rezerva e Ulur e Vezoreve?

  6. Si të di nëse vezët e mia janë të shëndetshme?

  7. Jam diagnostikuar me bllokim të tubave. A mund të mbes shtatzënë?

  8. A është e mundshme shtatzënia pas lidhjes së tubave?

  9. A është e vërtetë që nëse “qetësoheni dhe vazhdoni të provoni”, do të rriten gjasat për shtatzëni?

  10. Çka do të thotë “infertiliteti i pashpjegueshëm”?



Çka është infertiliteti?


Infertiliteti definohet sipas moshës së gruas pasi që sistemi riprodhues femëror ndryshon shpejt me kohën. Definicioni klasik i infertilitetit është paaftësia për shtatzëni apo për mbajtje të shtatzënisë deri në lindje, për një vit të marrëdhënies seksuale të pambrojtur. Për gratë e moshës mbi 35-vjeçe koha është e shkurtuar në 6 muaj. Këto aranzhime sipas moshës i mundësojnë procesit të trajtimit që të fillojë më herët në mënyrë që t’u përshtatet ndryshimeve natyrore në prodhimin dhe cilësinë e vezës.


Ato që kanë probleme shëndetësore që dihet se ndikojnë në fertilitet, siç janë ciklet e parregullta (anovulacioni), sindroma policistike e vezoreve, endometrioza apo faktori mashkullor i infertilitetit, duhet të kërkojnë këshillën e specialistit posa të jenë të gatshëm për krijimin e familjes.


Shtatzënia është rezultat i procesit të përbërë nga shumë etapa:

·       Trupi i gruas duhet të lirojë një vezë nga njëra prej vezoreve të saj (ovulacioni).

·       Veza duhet të kalojë përmes tubave uterine drejt mitrës.

·       Spermatozoidi i mashkullit duhet të ta takohet (fekondojë) me vezën.

·       Veza e fekonduar duhet të ngjitet për murin e brendshëm të mitrës (implantimi).


Infertiliteti mund të rezultojë nga problemi në cilindo hap të lartpërmendur.



A mund të shkaktohet infertiliteti për shkak të ndonjë faktori të partnerit mashkull?


Po. Infertiliteti ka po aq gjasa të shkaktohet nga faktori mashkull sa ka nga faktori femër: një e treta e rasteve të infertilitet i atribuohen partnerit mashkull, një e treta tjetër gruas, kurse një e treta e mbetur e rasteve burojnë nga faktorët që nuk kanë shpjegim. Infertiliteti mashkullor shkaktohet nga numri i ulët i spermatozoideve apo cilësia e dobët e tyre dhe nga bllokimi në sistemin riprodhues mashkullor.



Çka ndodh gjatë vlerësimit fillestar të infertilitetit?


Ky proces përfshin për burra dhe gra anamnezën e plotë mjekësore dhe së paku ekzaminimin e gruas, si edhe disa testet për vlerësimin e funksioneve primare të fertilitetit:


Për një grua

Vlerësimi përqendrohet në funksionin e vezoreve dhe shëndetin e tubave uterine, si edhe në ekzaminimin e detajuar të anatomisë riprodhuese. Funksioni i vezoreve është tregues kyç i cilësisë së vezëve dhe i prodhimit hormonal femëror. Tubat uterine janë vendi ku veza dhe sperma takohen për t’u realizuar fekondimi. Një numër testesh mund ta vlerësojnë shëndetin e sistemit riprodhues. Anamneza dhe ekzaminimi i plotë mjekësor do të marrin parasysh historinë menstruale, operacionet e mëparshme, nivelin e aktivitetit fizik, nivelin e stresit dhe shëndetin e tiroides (përgjegjëse për prodhimin e hormoneve riprodhuese).


Për një burrë

Vlerësohet gjendja e spermës së burrit (forma, vëllimi dhe lëvizshmëria), si edhe shëndeti i traktit urinar dhe i organeve riprodhuese. Nëse analiza e spermës tregon për një problem mashkullor, do të rekomandohet ekzaminimi nga ana e urologut/andrologut.



A ka mundësi të ketë cikël, por pa ovulacion?


Cikli menstrual nuk nënkupton domosdoshmërish se jeni duke ovuluar. Cikli mujor është akt i balancuar kujdesshëm, gjatë të cilit truri i liron hormonet estrogjen dhe progesteron. Këto hormone punojnë bashkërisht në koordinimin e funksionit riprodhues dhe i ndihmojnë trupit që të përgatitet për shtatzëni. Në kushte normale, secilin muaj vezoret e përgatisin një vezë për fekondim dhe e lirojnë po ashtu estrogjenin. Estrogjeni shërben për përgatitjen e shtresës së brendshme të mitrës për shtatzëni. Gjatë ovulacionit, vezorja e liron vezën dhe aktivizohet progesteroni. Progesteroni do ta përgatis shtresën e brendshme të mitrës për fekondim; apo nëse nuk vjen deri te shtatzënia, do të japë sinjal që mukoza të zhvishet dhe të hidhet përjashta (menstruacioni).


Nëse prodhimi i hormoneve çrregullohet, ovulacioni mund të mos zhvillohet dhe kësisoj progesteroni të mos lirohet. Pa progesteron, shtresa e brendshme e mitrës vazhdon të trashet pa kontroll dhe të fillojë të gjakosë spontanisht. Kjo i ngjan shpeshherë gjakderdhjes së ciklit të rregullt.



Çka nënkupton Rezerva e Ulur e Vezoreve?


Rezerva e Ulur e Vezoreve (DOR) nënkupton se sasia e vezëve është më e ulët se optimalja. Ato vezë që ekzistojnë mund të jenë të shëndetshme – por janë më pak në numër. Nëse rezerva e ulur është e rëndë, mund të ndikohet edhe cilësia e vezës duke shkaktuar më tepër vezë me anomali në numër të kromozomeve. Kjo shkakton shkallë më të ulët të implantimit të vezëve dhe të shtatzënive, si edhe rrezik të shtuar për aborte në tremujorin e parë. Rezerva e Ulur e Vezoreve mund të jetë e pranishme në gratë e reja dhe të vjetra (në të vjetrat është shpesh shenjë e menopauzës që po afrohet). Shtatzënia në këtë gjendje është e mundshme dhe gratë më të reja kanë sukses relativisht më të lartë me IVF. Megjithatë, Rezerva e Ulur e Vezoreve mund ta shndërrojë shtatzëninë në sfidë për gratë e çfarëdo moshe që i përdorin vezët e veta. Gratë me Rezervë të Ulur të Vezoreve kanë sukses më të lartë me vezë të dhurueses dhe ky opsion shpesh rekomandohet.



Si të di nëse vezët e mia janë të shëndetshme?


Janë disa metoda relativisht të thjeshta për vlerësimin e cilësisë së vezës:


Mosha.  Si pjesë e procesit të plakjes, cilësia dhe sasia e vezëve bien në mënyrë natyrore duke shkaktuar shtatzëni problematike dhe shkallë më të ulët të shtatzënisë. Mosha e gruas është faktori primar në vlerësimin e shëndetit të vezëve dhe i të gjithë faktorëve. Mosha është faktori më i rëndësishëm i parashikimit të shkallës së shtatzënive që rezultojnë me lindje.


Testi i FSH-së (hormoni stimulues i folikulave) dhe i Estradiolit në gjak. Nëse realizohet në ditën e dytë apo të tretë të ciklit menstrual, ky test e mat FSH-në, hormonin kryesor përgjegjës për nxitjen e prodhimit të vezës dhe po ashtu estradiolin, hormonin më të rëndësishëm prej estrogjeneve i cili është përgjegjës për shëndetin e vezores dhe rritjen e organeve riprodhuese. Rritja e këtyre hormoneve paraqet sinjal që trupi ka vështirësi në prodhimin e vezëve dhe po punon më tepër për ta “kompensuar” këtë ngecje. Në shumicën e klinikave, niveli i FSH-së prej 10 mIU/mL apo më lartë dhe i Estradiolit prej 70 pg/mL apo më lartë, tregon për rezervë të ulur të vezoreve. (Derisa këto numra ndihmojnë si udhëzues, infermieret dhe mjekët tanë do t’ju informojnë gjithmonë për rezultatet e testeve të juaja dhe do t’ju shpjegojnë për matjet ashtu si i përshtaten situatës suaj.)


Hormoni Anti-Mullerian (AMH). Testi më i ri është testi i Hormonit Anti-Mullerian. Ky hormon prodhohet drejtpërdrejt nga folikulat në zhvillim në vezore dhe më pak varet nga koha e ciklit të gruas. Niveli ideal është 1.0 apo më i lartë. Nivelet më të larta janë më mirë.


CCT (Testi i Clomidit). Kjo është një matje më e gjerë e vëllimit të vezëve në të cilën nivelet e hormoneve FSH dhe Estradiol maten para dhe pasi që gruaja ta ketë marrë ilaçin e fertilitetit të quajtur Clomid. Rreth 5% e grave kanë nivele normale të FSH dhe Estradiolit në ditën 3, por nivele jonormale të tyre në ditën 10, që tregon se ato kanë rezervë të ulur të vezoreve. Ky test shpesh u rekomandohet atyre që nuk kanë reaguar në medikamentin e fertilitetit, për ato mbi moshën 37-vjeçe dhe ato që kanë simptoma të fertilitetit të ulur të shkaktuar nga komplikimet kirurgjikale apo çrregullimet e tjera. Niveli prej 10 mIU/mL për FSH si në ditën 3 ashtu edhe në ditën 10 tregon për rezervë të ulur të vezoreve.


Cikli i shkurtër menstrual. Cikli i shkurtër mund ta sinjalizojë ndryshimin apo jobalancën në prodhimin hormonal që e dirigjon prodhimin dhe cilësinë e vezëve, prandaj është shpesh tregues i fertilitetit të ulur. Nivelet më të larta të FSH-së bazike e nxisin vezën e përzgjedhur atë muaj për ovulacion që të maturohet më shpejt, duke shkaktuar kësisoj fazë të shkurtuar folikulare (faza e cila fillon me ditën e gjakderdhjes dhe vazhdon deri në ovulacion). Nëse një grua ka pasur cikle menstruale prej 28-30 ditësh, por në vitet e mëvonshme ato shkurtohen në 24-26 ditë, kjo mund të jetë shenja e vetme klinike e rezervës së ulur të vezoreve.


Reagimi ndaj trajtimit me medikamente për fertilitet. Funksioni i vezoreve ndonjëherë është aq i komprometuar sa që trupi thjesht nuk reagon si duhet, madje ndaj “superovulacionit” me medikamente.


Reagimi ndaj IVF-së. Funksioni i dobët i vezëve gjatë IVF-së ndonjëherë është treguesi i parë që ekziston problemi me funksionin e vezoreve apo me cilësinë e vezëve. Derisa veza e gruas mund të duket në fillim si e përshtatshme për IVF, ato dëshmohen se janë të paafta për fekondim apo prodhim të embrionit të shëndetshëm.


Kirurgjia e mëparshme e vezoreve. Intervenimet kirurgjikale për gjendjet si kanceri, cistat e vezoreve, vezoret policistike apo endometriozë mund të rezultojnë me formimin e vragës apo gjendjeve të tjera që ndërhyjnë me hormonet apo prodhimin e vezëve.



Jam diagnostikuar me bllokim të tubave. A mund të mbes shtatzënë?


Tubat uterine janë “vendtakimi” i vezës me spermën dhe ofrojnë rrugën për vezën e fekonduar që të udhëtojë drejt mitrës. Në disa raste, tubat e bllokuara uterine mund të pastrohen. Ekzistojnë teknika kirurgjikale dhe jokirurgjikale për ta adresuar këtë çështje, varësisht nga natyra e bllokimit. Pas procedurave të tilla, shtatzënia është shpesh e mundshme.


Kur bllokimi nuk mund të riparohet, shtatzënia mund shpesh të arrihet përmes IVF-së. Ky trajtim përfshin një kurë të medikamenteve për përmirësim të fertilitetit me qëllim të prodhimit të shumë vezëve në vezore. Vezët më pas “vilen” apo merren nga vezoret dhe kombinohen me spermën e mashkullit në laborator. Veza e posafekonduar transferohet më pas në mitrën e gruas përmes një gypi të hollë që quhet kateter. Kjo procedurë prandaj mundëson fekondimin jashtë tubave uterine.



A është e mundshme shtatzënia pas lidhjes së tubave?


Po. Janë dy opsione potenciale për gratë që kanë pasur lidhje të tubave:


Korrigjimi i lidhjes së tubave. Kjo është procedurë kirurgjikale gjatë së cilës tubat uterine rilidhen duke përdorur një minilaparotomi apo një prerje të vogël abdominale. Në disa raste, kirurgjia korrigjuese mund të shkaktojë vragë, e cila mund të ndërhyjë me shtatzëninë e ardhshme. Nëse gruaja është ende e re (zakonisht nën moshën 35-vjeçe) dhe ka dëshirë të ketë disa fëmijë, korrigjimi i lidhjes së tubave është një opsion. Megjithatë, duhet të merret ndonjë masë e kontrollit të shtatzënisë pas lindjes.


IVF (Fertilizimi In Vitro). IVF-ja mundëson që tubat uterine të anashkalohen. Ky trajtim përfshin një kurë të medikamenteve për përmirësim të fertilitetit me qëllim të prodhimit të shumë vezëve në vezore. Vezët më pas “vilen” apo merren nga vezoret dhe kombinohen me spermën e mashkullit në laborator. Veza e posafekonduar transferohet më pas në mitrën e gruas përmes një gypi të hollë që quhet kateter.


Për ato që i janë nënshtruar lidhjes së tubave dhe dëshirojnë prapë të mbesin shtatzëna, IVF-ja është po aq ose më shumë e suksesshme se kirurgjia. Jua mundëson që tubat të mbesin të lidhura dhe të shërbejnë kësisoj si metodë kontracepsioni në të ardhmen.


Mjeku juaj mund të diskutojë me juve për dobitë dhe rreziqet e secilit opsion, varësisht nga situata juaj e veçantë.



A është e vërtetë që nëse “qetësoheni dhe vazhdoni të provoni”, do të rriten gjasat për shtatzëni?


Kemi dëgjuar të gjithë rrëfime për çiftet që kanë tentuar shtatzëninë për një kohë të gjatë, madje kanë dështuar me trajtimet e infertilitetit dhe më pas e kanë arritur shtatzëninë në një kohë të papritur. Kjo definitivisht ndodh. Përderisa spermatozoidet të jenë prezente dhe tubat uterine të mos jenë të bllokuara, shumica e çifteve kanë gjasë sado të vogël për shtatzëni secilin muaj. Kjo ngjan të rastis në një kohë “pushimesh” apo muajin në të cilin pushohet nga trajtimi. Mund të ndodh në çdo kohë, prandaj për këtë arsye i inkurajojmë pacientët tanë që kanë gjasa reale që të mos ndalen kurrë.



Çka do të thotë “infertiliteti i pashpjegueshëm”?


Burimi i infertilitetit nuk mund thjesht të caktohet për 10-15% të pacientëve edhe pas vlerësimit dhe testimeve diagnostikuese gjithëpërfshirëse. Kjo situatë shqetësuese është në thelb një diagnozë e bazuar në përjashtime. Në këto raste, e analizojmë me kujdes vlerësimin e infertilitetit, e shqyrtojmë çdo test dhe mënyrën si është realizuar, i rivlerësojmë rezultatet e testeve dhe i përsërisim testet dhe procedurat sipas nevojës. Shumë prej pacientëve me infertilitet të pashpjegueshëm munden ende të trajtohen në mënyrë të suksesshme dhe ta arrijnë shtatzëninë.

279 views0 comments

Recent Posts

See All

Infertiliteti i pashpjegueshëm

Është jashtëzakonisht dëshpëruese që të bëhen vlerësime të detajuara për shkaqet e infertilitetit dhe të mos përcaktohet arsyeja e tij. Për 10-15% të pacientëve nuk mund të fitohet përgjigjja e saktë

Trajtimi i Infertilitetit Mashkullor

Ndoshta për shkak se gruaja e mban foshnjën, e konsiderojmë shpesh infertilitetin si problem vetëm femëror. Në fakt, deri në 50% të rasteve të infertilitetit e përfshijnë partnerin mashkull. Sikur për

bottom of page