top of page

Pyetjet Më Të Shpeshta Te Fekundim Artificial


Kur është e nevojshme IVF-ja?

A ekzistojnë rreziqe për të pasur fëmijë përmes IVF-së?

A paraqesin rreziqe afatgjata hormonet e fertilitetit?

A janë të dhembshme injeksionet e IVF-së?

A është e dhembshme procedura e nxjerrjes së vezëve?

Sa kohë duhet të qëndrojnë në Prishtinë pacientët që vijnë jashtë qytetit?

Sa shpejt mund të kthehen në shtëpi pacientët që vijnë jashtë qytetit për t’u trajtuar me IVF?

A përdoren të gjitha vezët e gruas gjatë IVF-së?

Cilat janë gjasat për shtatzëni me embrionet e ngrira?

Si transferohen embrionet e ngrira?

Cilat janë opsionet nëse vezët e vetë gruas nuk prodhojnë shtatzëni?

Çka nëse gruaja nuk është në gjendje që ta mbajë shtatzëninë?



Kur është e nevojshme IVF-ja?


Për shkak se procesi i IVF-së i anashkalon tubat uterine (është zhvilluar në radhë të parë për gra me tuba uterine të bllokuara apo të munguara), është procedurë e zgjedhjes për gratë me probleme të tubave, si edhe për gjendjet e tilla si endometrioza, infertiliteti nga faktori mashkullor dhe infertiliteti i pashpjegueshëm. Mjeku mund ta shqyrtojë historinë e pacienteve dhe t’u ndihmojë duke i udhëzuar për procedurat diagnostikuese dhe trajtuese më të përshtatshme për to.



A ekzistojnë rreziqe për të pasur fëmijë përmes IVF-së?


Derisa disa hulumtime sugjerojnë për një normë lehtësisht më të lartë të defekteve të lindjes në fëmijët e lindur përmes IVF-së krahasuar me popullatën e përgjithshme (4-5% karshi 3%), ka mundësi që kjo rritje është për shkak të faktorëve të tjerë se sa nga IVF-trajtimi.


Është me rëndësi të njihet që shkalla e defekteve të lindjes në popullatën e përgjithshme është rreth 3% e të gjitha lindjeve kur bëhet fjalë për malformacionet e mëdha dhe 6% nëse përfshihen edhe defektet e vogla. Studimet e vonshme kanë sugjeruar që shkalla e defekteve të mëdha të lindjes në fëmijët e bërë përmes IVF-së mund të jetë në normën 4 deri 5%. Kjo shkallë lehtësisht e rritur e defekteve është raportuar edhe për fëmijët e lindur pas inseminimit intrauterin dhe për vëllezërit e motrat e bërë në mënyrë natyrore të fëmijëve të lindur me IVF, prandaj ka mundësi që faktori i rrezikut është trashëgues në këtë grup të veçantë popullate se sa që ka të bëjë me teknikat e përdorura për arritjen e shtatzënisë.


Hulumtimi tregon që fëmijët e bërë me IVF janë të barabartë me popullatën e përgjithshme sa i përket arritjes akademike, sjelljes dhe shëndetit psikologjik. Për hulumtimin e kësaj çështjeje të rëndësishme janë duke vazhduar studime të tjera.



A paraqesin rreziqe afatgjata hormonet e fertilitetit?


Krahasuar me popullatën e përgjithshme, gratë të cilat nuk kanë mbetur kurrë shtatzënë kanë rrezik lehtësisht të rritur për kancerin e vezoreve (rreth 1.6 herë më shumë). Për shkak se është menduar që shumë prej këtyre grave kanë përdorur medikamente të fertilitetit, është paraqitur hipoteza e ndërlidhjes ndërmjet medikamenteve të fertilitetit dhe këtij lloj kanceri. Disa studime janë zhvilluar që prej vitit 1992, atëherë kur është ngritur për herë të parë kjo çështje. Asnjëri nuk ka gjetur ndërlidhje ndërmjet medikamenteve të fertilitetit dhe rrezikut të rritur për kancer të vezoreve apo ndërmjet IVF-së dhe kancerit të vezoreve. Rezultatet preliminare nga studimi i Institutit Nacional të Shëndetit nuk sugjeron po ashtu ndonjë ndërlidhje ndërmjet medikamenteve të fertilitetit dhe kancerit të vezoreve, të mitrës dhe të gjirit.


Ka mundësi që kjo ndërlidhje nuk është për shkak të përdorimit të medikamenteve të fertilitetit, por për shkak se këto gra nuk kanë lindur kurrë. Gjetjet e Institutit Nacional të Shëndetit dhe të tjerëve sugjerojnë që shtatzënia apo ndonjë komponentë e procesit të saj mund në fakt të mbrojnë direkt nga kanceri i vezoreve.



A janë të dhembshme injeksionet e IVF-së?


Përdorimi i injeksioneve të përditshme mund të jetë tronditës. Derisa injeksionet janë pjesë përbërëse e IVF-së, ne i kemi dizajnuar skemat tona të mjekimit dhe tipin e injeksionit në atë mënyrë që ta minimizojnë shqetësimin dhe stresin; kurse infermieret tona i udhëzojnë me kujdes dhe i mbështesin pacientet tona përgjatë këtij procesi. Barnat që dikur duhej të injektoheshin në muskul janë zëvendësuar me barna që jepen si injeksione të vogla nën lëkurë. Injeksionet e tilla merren zakonisht gjatë një periudhe prej 10-12 ditësh dhe përcillen me një injeksion intramuskular të hCG-së në fund të ciklit të stimulimit, hormonit që e nxit ovulacionin. Injeksioni i hCG-së, i cili më parë ishte në dispozicion vetëm në formën intramuskulare, tani është në dispozicion edhe në formën nënlëkurore (Ovidrel) për pacientet të cilat duan ta shmangin injeksionin intramuskular. Edhe pse forma rekombinuese nënlëkurore e hCG-së në Ovidrel nuk është në përdorim të gjatë sa forma intramuskulare e hCG-së, të gjithë treguesit pohojnë që është po aq efektive.


Pas nxjerrjes së vezëve, pacienteve u jepet suplement i hormonit progesteron me qëllim që të përgatitet shtresa e brendshme e mitrës për transferin e embrionit. Progesteroni mund të merret në formën e tabletës vagjinale apo të supostit vagjinal, në vend të injeksionit. Në këtë mënyrë, injeksionet mund të shmangen plotësisht gjatë pjesës së dytë të ciklit të IVF-së. Tabletat dhe supostet vagjinale të progesteronit janë dëshmuar të jenë po aq efektive sa injeksionet e progesteronit.



A është e dhembshme procedura e nxjerrjes së vezëve?


Për shkak se për nxjerrjen e vezëve përdoret anestezia, pacientet nuk ndjejnë asgjë gjatë procedurës. Nxjerrja e vezëve është një kirurgji e vogël gjatë së cilës një sondë e ultratingullit vagjinal e pajisur me një gjilpërë të gjatë dhe të hollë futet përmes murit të vagjinës në drejtim të secilës vezore. Gjilpëra e shpon secilin folikul të vezëve dhe me kujdes bëhet tërheqja e vezës përmes thithjes (sukcionit). Efekti i anestezisë largohet shpejt pas përfundimit të procedurës së nxjerrjes së vezëve. Pacientet mund të ndjejnë ngërçe të lehta në vezore, por të cilat mund të trajtohen me barna përkatëse.



Sa kohë duhet të qëndrojnë në Prishtinë pacientet që vijnë jashtë qytetit?


Shumë prej pacienteve tona vijnë nga pjesët e tjera të Kosovës. Konsultimet me mjekun, infermieret dhe ato në aspektin financiar mund të bëhen përmes telefonit; shumë prej testeve dhe procedurave, përfshirë trajtimin fillestar të stimulimit të fertilitetit, mund të koordinohen me gjinekologun apo endokrinologun riprodhues lokal të pacientes. Ato që e kanë filluar stimulimin në shtëpi do të udhëtojnë për në klinikën tonë rreth 5-7 ditë më vonë. Shumica e pacienteve duhet të jenë në Prishtinë për 10 ditë deri në 3 javë. Stafi ynë është gjithmonë në dispozicion për t’i ndihmuar dhe këshilluar pacientet gjatë tërë trajtimit përmes telefonit apo postës elektronike.



Sa shpejt mund të kthehen në shtëpi pacientet që vijnë jashtë qytetit për t’u trajtuar me IVF?


Shumica e pacienteve tona kthehen në shtëpi një ditë pas transferit të embrionit – nuk ka arsye mjekësore për të qëndruar në Prishtinë pas IVF-së. Të gjitha llojet e udhëtimit janë të sigurta. Ulja për një kohë të gjatë nuk do të ndikon në gjasat për shtatzëni. Rekomandojmë që pacientet që udhëtojnë me aeroplan të pinë shumë lëngje, pasi që ajri që qarkullon mund të jetë i thatë. Prandaj, dehidrimi duhet të shmanget.



A përdoren të gjitha vezët e gruas gjatë IVF-së?


Vezoret e gruas kanë me qindra vezë potenciale. Gjatë ciklit natyror të ovulacionit, secilin muaj vezorja e zgjedh vetëm një vezë nga depoja prej 100 deri në 1000 sosh. Ato vezë që nuk përzgjedhen i nënshtrohen procesit natyror të vdekjes qelizore e cila quhet atrezi. Kur gruaja përdor medikamente të fertilizimit, nëpërkëmbet procesi natyror i seleksionimit dhe një numër i atyre vezëve të papërdorura lejohen të rriten. Deri në 20 vezë mund të stimulohen gjatë një cikli. Prandaj, me përdorimin e medikamenteve të fertilizimit gjatë IVF-së, jo vetëm se gruaja i përdor të gjitha vezët e saj, por ajo “i shpëton” vezët të cilat përndryshe do t’i nënshtroheshin atrezisë.



Cilat janë gjasat për shtatzëni me embrionet e ngrira?


Në përgjithësi, suksesi i procedurës së transferit të embrioneve të ngrira varet nga tri faktorë:

·       Cilësia dhe mbijetesa e embrioneve të ngrira. Në përgjithësi, ne i ngrijmë vetëm embrionet me cilësi të mirë, prandaj shkalla momentale e mbijetesës është më e madhe se 90%.

·       Mosha e gruas që i ka prodhuar vezët. Në pacientet e moshës nën 37-vjeçe, gjasat për shtatzëni me embrionet e ngrira janë të ngjashme me ato me embrione të freskëta. Në pacientet e moshës mbi 37-vjeçe, gjasat për shtatzëni me embrionet e ngrira bien në përputhje me rënien e fertilitetit për shkak të moshës, por mund jenë ende të mira. Si gjithmonë, më së miri është të diskutohet situata individuale e gruas.

·       Gjendja e mitrës së gruas e cila e pranon embrionin. Shtresa e shëndetshme endometriale, pa fibroide apo polipe, ofron mjedis të mirë për implantimin e embrionit.



Si transferohen embrionet e ngrira?


Embrionet paraprakisht të ngrira mund të transferohen gjatë ciklit natyror të gruas apo gjatë ciklit të kontrolluar (artificial), varësisht nga një numër faktorësh:


Transferi gjatë ciklit të kontrolluar. Në ciklin e kontrolluar, hormonet jepen për ta përgatitur mitrën për transfer. Kjo metodë rekomandohet për pacientet që kanë cikle të parregullta. Për shkak se cikli i kontrolluar mund të aranzhohet saktë, këshillohet edhe për ato gra që e kanë të përcaktuar kohën e udhëtimit. Barnat që përdoren zakonisht për ciklin e kontrolluar janë estrogjeni (në formën për injektim apo atë gojore) dhe progesteroni (në formën për injektim apo atë vagjinale).


Transferi gjatë ciklit natyror. Pacientet që kanë cikle të rregullta menstruale mund ta kenë opsionin e përdorimit të ciklit të tyre natyror për transferin e embrioneve të ngrira. Në këtë rast, nuk ka nevojë për trajtim hormonal, pasi që cikli natyror i trupit do ta përgatis mitrën për shtatzëni. Në rastet kur transferi me cikël natyror është i mundur, ky opsion mundëson më pak barna dhe monitorim, prandaj është relativisht i përballueshëm për pacientet. Ne do ta monitorojmë ciklin natyror duke përdorur pajisje urinare shtëpiake për parashikimin e ovulacionit dhe ultratingullin. Kur pajisja jep sinjal dhe/apo në ultratingull dallohet folikuli i mirë paraovulator, ne japim një injeksion të vetëm të Ovidrelit (hCG rikombinues nënlëkuror) dhe pacientja fillon të aplikojë suposte vagjinale të progesteronit dy ditë më pas. Transferi i embrionit do të bëhet 5-7 ditë pas ovulacionit/injeksionit të hCG-së, varësisht nëse embrionet janë ngrirë në ditën 3 apo 5.


Embrioni shkrihet në temperaturën e dhomës dhe më pas ngrohet në temperaturën trupore (37°C). Sikur në transferin e embrioneve të freskëta, embrionet vendosen brenda një kateteri special (një gyp shumë i hollë), i cili përmes qafës së mitrës futet në zgavrën e mitrës. Embrionet injektohen me kujdes në mitër dhe kateteri tërhiqet. Kjo procedurë nuk kërkon anestezi dhe bëhet në pozitën e ngjashme me atë të ekzaminimit pelvik për Pap-testin. Pas transferit, gruaja pushon për 15 minuta dhe më pas është në gjendje të shkojë në shtëpi, ku rekomandohet një ditë pushim apo aktivitet shumë i lehtë ditor.



Cilat janë opsionet nëse vezët e vetë gruas nuk prodhojnë shtatzëni?


Aftësia për përdorim të vezëve dhuruese ua ka mundësuar mijëra grave që të mbeten shtatzëna pasi që nuk kanë pasur mundësi për një gjë të tillë. Derisa veza e një gruaje mund të mos jetë e shëndetshme, shumë shpesh mitra e saj është e shëndetshme dhe e aftë për ta mbajtur shtatzëninë. Në këto raste, dhurimi i vezëve me IVF ka shkallë të lartë suksesi. Kjo procedurë e ndjek të njëjtin protokoll me atë të IVF-së, përveç se prindërit e zgjedhin dhuruesen dhe e përdorin vezën e saj për ta krijuar embrionin.

305 views0 comments

Recent Posts

See All

PYETJET ME TE SHPESHTA LIDHUR ME INFERTILITETIN

Çka është infertiliteti? A mund të shkaktohet infertiliteti për shkak të ndonjë faktori të partnerit mashkull? Çka ndodh gjatë vlerësimit fillestar të infertilitetit? A ka mundësi të ketë cikël, por p

Infertiliteti i pashpjegueshëm

Është jashtëzakonisht dëshpëruese që të bëhen vlerësime të detajuara për shkaqet e infertilitetit dhe të mos përcaktohet arsyeja e tij. Për 10-15% të pacientëve nuk mund të fitohet përgjigjja e saktë

bottom of page