top of page

Çrregullimet e Tubave Uterine

Çrregullimet e tubave uterine përbëhen nga bllokimet dhe ngjitjet (adhezionet) apo formimi i indit të vragëzuar. Të dyja këto gjendje mund ta pengojnë lëvizjen e spermës apo të embrionit.

Bllokimi

Bllokimet mund të shkaktohen nga tkurrjet e padëmshme dhe të përkohshme të muskulaturës së mitrës apo nga gjendjet domethënëse, siç janë infeksionet, pezmatimet (inflamacionet) apo endometrioza. Gjendja e quajtur hidrosalpinks nënkupton gjendjen në të cilën tubat uterine janë të mbushura me lëng inflamator për shkak të infeksionit paraprak të pelvikut.

Ngjitjet (Adhezionet)

Ngjitjet (adhezionet) paraqesin indin lidhor i cili mund të formohet ndërmjet tubave uterine dhe vezoreve duke shkaktuar ngjitjen e tyre me njëra-tjetrën. Ngjitjet mund të pengojnë një ovulacion të suksesshëm dhe mund po ashtu ta pamundësojnë lëvizjen e spermës dhe të embrionit përgjatë tubave uterine. Pacientet në rrezik për të pasur probleme me tubat janë ato që kanë pasur infeksione paraprake të pelvikut apo ato që kanë pasur probleme abdominale, siç janë apendiciti (pezmatimi i zorrës qorre) apo ndërhyrjet për largim të cistave të vezoreve. Shumë paciente me ngjitje, bllokim tubash apo madje edhe hidrosalpinks, mund të mos jenë në dijeni për infeksionet paraprake, sepse infeksionit me disa baktere mund të jenë shumë të lehta.

Diagnostikimi i bllokimit të tubave uterine

Ultratingulli. Testi i parë i cili realizohet në shumicën e pacienteve është ultratingulli, i cili përdor valë zanore të frekuencës së lartë për të prodhuar pamje dinamike në kohë reale të mitrës dhe të vezoreve. Ky test është i shkurtër, joinvaziv dhe i padhembshëm. Mjeku e fut një transdjuser në vagjinë me qëllim të vëzhgimit dhe prodhimit të pamjes në monitor. Një tubë uterine e cila është normale është pothuajse gjithmonë e padukshme në ultratingull. Nëse bëhet e dukshme, atëherë mund të jetë për shkak se është i pranishëm hidrosalpinksi.

Histerosalpingogrami (HSG). Ky është një ekzaminim që i përdor rrezet X dhe po ashtu jep pamje në kohë reale duke ia mundësuar mjekut që të analizojë funksionin e tubave uterine dhe të kontrollojë nëse ekziston ndonjë bllokim. Gjatë incizimit, një sasi e vogël e substancës së kontrastit injektohet në mitër dhe tubat uterine. Me shpërndarjen e kësaj substance, ajo i ndriçon bllokimet (siç janë indet e vragëzuara apo fibroidet). Procedura ia mundëson po ashtu mjekut që ta shohë strukturën e vetë mitrës nëse ajo është në gjendje që ta pranojë vezën e fertilizuar.

Histerosalpingogrami realizohet në javën e dytë të ciklit menstrual (p.sh. pas ndaljes së gjakderdhjes së ciklit menstrual, por para ovulacionit). E tërë procedura zgjat rreth 10 minuta. Efektet anësore, nëse paraqiten, janë shtangiet dhe dhembja pelvike. Marrja e Ibuprofenit para procedurës mund të ndihmojë me qetësimin e simptomave. Shumica e grave mund të vazhdojnë menjëherë me aktivitetet ditore.

Trajtimi i çrregullimeve të tubave

Meqenëse bllokimet e tubave janë shpesh të shoqëruara me dëmtimet e brendshme të tubave, funksioni i tubave mund të jetë i dëmtuar. Pjesa e brendshme e tubave është e mbuluar me zgjatime në formë fijesh floku të cilat quhen cilia. Kur këto dëmtohen, vështirësohet kalimi i vezës së fertilizuar përmes tubave në drejtim të mitrës, gjë që çon në dështim të shtatzënisë apo zhvillim të shtatzënisë ektopike. Për këto arsye, ne rekomandojmë Fertilizimin In Vitro për infertilitetin tubal, në vend të përpjekjes për hapjen e tubave. Nëse është i pranishëm hidrosalpinksi, ne rekomandojmë mënjanimin kirurgjik apo bllokimin e tubave në pikën ku ato bashkohen me mitrën, para realizimit të Fertilizimit In Vitro. Këtë e bëjmë për shkak se lëngu inflamator i tubës mund të kullojë në mitër dhe të shkaktojë dështimin e ngjitjes së embrionit të IVF-së për murin e mitrës.

54 views0 comments

Recent Posts

See All

PYETJET ME TE SHPESHTA LIDHUR ME INFERTILITETIN

Çka është infertiliteti? A mund të shkaktohet infertiliteti për shkak të ndonjë faktori të partnerit mashkull? Çka ndodh gjatë vlerësimit fillestar të infertilitetit? A ka mundësi të ketë cikël, por p

Infertiliteti i pashpjegueshëm

Është jashtëzakonisht dëshpëruese që të bëhen vlerësime të detajuara për shkaqet e infertilitetit dhe të mos përcaktohet arsyeja e tij. Për 10-15% të pacientëve nuk mund të fitohet përgjigjja e saktë

bottom of page