top of page

Miomat, Polipet dhe Çrregullimet e Mitrës

Fibroidet

Fibroidet e mitrës (leiomiomat apo miomat) janë tumore beninje (jokanceroze) të përbëra nga muskulatura e lëmuar e cila zakonisht rritet përbrenda mureve të mitrës. Fibroidet mund të shkaktojnë rrjedhje të vështirësuar menstruale, ngërçe të forta, presion në pelvik dhe probleme me urinim dhe zorrë të trashë. Varësisht nga lokalizimi, madhësia dhe shpejtësia e rritjes së tyre, fibroidet mund të ndërhyjnë në fekondim dhe shtatzëni.

Diagnostikimi i Fibroideve (Mioma)

Ekzistojnë disa metoda me të cilat diagnostikohen fibroidet, varësisht nga madhësia dhe lokalizimi.

·       Ekzaminimi i Pelvikut. Nëse tumori është shumë i madh, ai mund të preket gjatë ekzaminimit të pelvikut.

·       Ultratingulli Rutinë i Pelvikut. Ky është ultratingull transvagjinal i cili përdoret për vëzhgimin e murit të brendshëm të mitrës. Është zakonisht metoda më e mirë për të parë një fibroid. Për ta realizuar ultratingullin, një instrument i hollë që quhet transdjuser futet në vagjinë. Me qëllim të vlerësimit të efektit potencial të zgavrës së mitrës, ultratingulli duhet të bëhet pak para ovulacionit, atëherë kur muri i brendshëm i mitrës e ka trashësinë më të madhe.

·       Histerosonogram Ultratingulli (Sonogrami fiziologjik apo ujor). Ky është një ultratingull vagjinal gjatë të cilit mjeku injekton ujë të kripur (infuzion fiziologjik) në zgavrën e mitrës. Uji shërben për ta zgjeruar mitrën dhe e bën më të lehtë vëzhgimin dhe matjen e fibroideve. Shërben më së miri për t’i vënë në pah fibroidet nënmukozale, pra ato që ndodhen përbrenda murit të mitrës.

·       Histeroskopia. Histeroskopia është një procedurë e vogël kirurgjikale që paraqet vendosjen e një instrumenti teleskopik me ndriçim (histeroskop) përmes qafës së mitrës dhe vizualizimin e jonormaliteteve brenda murit të zgavrës së mitrës. Po qe se shihet ndonjë fibroid, mund të largohet gjatë procedurës së njëjtë.

·       Rezonanca magnetike (RM). Kjo procedurë përdor radio-frekuencë pulsuese të fushës së fortë magnetike dhe një kompjuter për të prodhuar pamje shumë të detajuara të indeve të buta (si edhe të të gjitha pjesëve të tjera të trupit). Në rastin e fibroideve, RM-ja mund të ndihmojë në detektimin e rritjeve të përmasave të ndryshme me qëllim që të sigurohemi që ato mund të largohen. Për shkak të specificitetit, RM-ja mund të ndihmojë në dallimin e fibroideve nga një jonormalitet tjetër në mitër me të cilin shpesh ngatërrohet, adenomiozën. Adenomioza nuk mund të largohet në mënyrë kirurgjikale, por fibroidet munden. Prandaj, këtu qëndron rëndësia e dallimit të tyre nga njëri-tjetri.


Trajtimi i Fibroideve

Fibroidet mund të largohen përmes procedurës kirurgjikale e cila quhet miomektomi. Në këtë mënyrë ruhen mitra dhe vezoret me qëllim që të mundësohet fekondimi. Ekzistojnë disa metoda për realizimin e miomektomisë, varësisht nga lokalizimi, madhësia dhe numri i fibroideve.

·       Miomektomia me laparotomi. Nëse fibroidet janë kryesisht përbrenda murit të mitrës, kirurgjia realizohet zakonisht me laparotomi e cila nënkupton një prerje të gjerë në murin e barkut. Kjo “miomektomi abdominale” është qasja më e mirë për fibroidet e mëdha dhe/apo të shumta në numër. Kjo procedurë kirurgjikale mund të kryhet nga pothuajse të gjithë gjinekologët. Për shkak se është ndërhyrje e madhe kirurgjikale, kërkohet zakonisht qëndrim 2-3 ditor në spital dhe për shërim të plotë nevojiten 4-6 javë. Shumica e grave të nënshtruar miomektomisë abdominale do të kenë nevojë për prerje cezariane për lindje nëse vjen deri te ndonjë shtatzëni e ardhshme.

·       Miomektomia me histeroskop (resekcioni histeroskopik). Nëse fibroidi ndodhet kryesisht në zgavrën e mitrës, qasja më e mirë është zakonisht me histeroskop, i cili paraqet një teleskop të hollë të ndriçuar që futet përmes vagjinës në mitër. Histeroskopi është i pajisur me instrumente specifike kirurgjikale që ia mundësojnë mjekut që t’i vëzhgojë dhe t’i largojë fibroidet. Kjo kirurgji duhet të bëhet nga gjinekologët me trajnim të përshtatshëm për histeroskopi. Pasi që nuk ka nevojë për prerje, procedura paraqet kirurgji ditore pa nevojë qëndrimi në spital dhe shërimi është i shpejtë – më pak se një javë – dhe nuk ka shenja të prerjes. Shikoni videon e bërë nga Dr. Goksu GOC.

·       Miomektomia me laparoskop (Miomektomia laparoskopike). Kjo procedurë përdor një laparoskop dhe një ose më tepër prerje në abdomen. Edhe pse miomektomia laparoskopike është minimalisht invazive, kërkon trajnim special të kirurgut gjinekolog. Viteve të fundit, kirurgët laparaskopikë kanë filluar ta përdorin kirurgjinë e asistuar robotike dhe kjo ka qenë veçanërisht e ndihmës për miomektomitë. Ekziston një numër i vogël gjinekologësh të trajnuar në miomektominë laparoskopike robotike. Shikoni videon e bërë nga Dr. Goksu GOC. Me miomektominë laparoskopike, formimi i vragës pas ndërhyrjes kirurgjike është zakonisht më i butë se me kirurgjinë e hapur; dhe koha e shërimit është relativisht e shpejtë për shkak të prerjeve minimale në bark.

·       Embolizimi i Arteries Uterine. Kjo procedurë relativisht e re premton, por për shkak se efektet afatgjata nuk janë studiuar ende, nuk rekomandohet ende për gratë që duan ta ruajnë fertilitetin. Procedura e embolizimit e bllokon furnizimin e fibroideve me gjak përmes injektimit të copëzave të vogla në arteriet të cilat i furnizojnë me gjak fibroidet. Për këtë qëllim, mjeku vendos një kateter përmes arteries së këmbës duke arritur deri në arterien e mitrës.

Polipet Endometriale

Polipet endometriale janë rritje të vogla dhe beninje të indit normal në shtresën e brendshme të mitrës. Shumë gra kanë polipe, por mund të mos kenë simptoma dhe mund të mos dinë se i kanë derisa ta realizojnë një ultratingull pelviku. Janë shumë të shpeshta te gratë në të 30-at dhe 4-at, si edhe kanë potencial të shkaktojnë infertilitet.

Diagnostikimi i Polipeve. Ultratingulli rutinë vagjinal i bërë pak para ovulacionit është zakonisht i mjaftueshëm për diagnostikimin e polipit. Nëse mbetet e paqartë, mund të realizohen histerosonogrami apo histeroskopia (shikoni më sipër Diagnostikimin e Fibroideve). Polipet endometriale shpesh nuk shihen në histerosalpingogramet sepse substanca radio-opake e kontrastit e bllokon vizualizimin e tyre.

Trajtimi i polipeve. Polipet endometriale trajtohen me sukses me histeroskopi (shikoni më sipër) pacientja mund ta provojë fekondimin menjëherë pas largimit të polipit. Shikoni videon e bërë nga Dr. Goksu GOC.

Vragat (Skar) e Mitrës

Sidomos pas procedurave të zgjerimit dhe të kiretazhës, gratë ndonjëherë mund të zhvillojnë vraga të zgavrës së mitrës. Nëse vragat shtrihen gjerësisht, njihet me emrin sindroma e Ashermanit. Ky lloj i vragës mund ta vështirësojë apo ta pamundësojë implantimin e embrionit për mitër.

Diagnostikimi i vragave të mitrës. Ultratingulli, histerosonogrami, histeroskopia apo histerosalpingografia mund të përdoren për diagnostikimin e vragave.

Trajtimi i vragave të mitrës. Histeroskopia me resekcion të vragave.

Anomalitë Kongjenitale të Mitrës

Në raste të rralla, gratë mund të lindin me mitrën që ka ndarëse vertikale (mitër septale) apo madje mitër të duplikuar (mitër didelphys). Varësisht nga serioziteti i gjendjes mund të ketë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale.

Diagnostikimi i anomalive kongjenitale të mitrës. Ultratingulli, histerosonogrami, histeroskopia apo histerosalpingografia mund të jenë të dobishme për diagnostikimin e këtyre tipave të anomalive anatomike të mitrës.

Trajtimi i anomalive kongjenitale të mitrës. Histeroskopia me resekcion të septumit është trajtimi i preferuar për mitrën me septa. Për mitrën e duplikuar, nuk nevojitet zakonisht kirurgjia, por me rëndësi është shmangia e binjakëve për shkak të rrezikut të shtuar për lindje të parakohshme. Shikoni videon e bërë nga Dr. Goksu GOC.

1,028 views0 comments

Recent Posts

See All

PYETJET ME TE SHPESHTA LIDHUR ME INFERTILITETIN

Çka është infertiliteti? A mund të shkaktohet infertiliteti për shkak të ndonjë faktori të partnerit mashkull? Çka ndodh gjatë vlerësimit fillestar të infertilitetit? A ka mundësi të ketë cikël, por p

Infertiliteti i pashpjegueshëm

Është jashtëzakonisht dëshpëruese që të bëhen vlerësime të detajuara për shkaqet e infertilitetit dhe të mos përcaktohet arsyeja e tij. Për 10-15% të pacientëve nuk mund të fitohet përgjigjja e saktë

bottom of page